Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e ditëlindjes së 81-të të profesorit dhe mendimtarit politik, Ukshin Hoti.
Bëhet e ditur se me rastin e shënimit të ditëlindjes së 81-të të profesorit dhe mendimtarit politik, Ukshin Hoti, kryeministri Kurti, mori sot pjesë në ngjarjen e organizuar në nderim dhe kujtim të jetës dhe veprës së profesorit Hoti, që u mbajt në hapësirat e Universitetit të Prizrenit që mban emrin e tij.
Kurti u mirëprit nga rektori i Universiteti të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, si dhe familjarët e profesorit, Ukshin Hoti.
“Në këtë datë të veçantë, të mendimtarit, politikanit, diplomatit, veprimtarit, pedagogut, e mbi të gjitha të intelektualit disident Ukshin Hoti, kryeministri Kurti, teksa lartësoi figurën e shquar të profesorit Hoti, u shpreh se ishte pikërisht ai që donte të kontribuonte te organi i mendimit shoqëror shqiptar duke e bërë politologjinë të fliste shqip”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Ndër të tjera, kryeministri foli edhe për shtegun e mendimit për liri, pasi që siç e tha ai para se të kishim Shteg të Lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishim shteg të mendimit për liri.
Gjithashtu bëhet e ditur se teksa ndodhej në mesin e një numri të madh të pjesëmarrësve, kryeministri Kurti në fjalën e tij për Ukshin Hotin, tha se ai kishte arritur që formimin e tij intelektual dhe profesional t’i arrinte në moshë shumë të re, duke shtuar se përkundër angazhimeve zyrtare, ai asnjëherë nuk reshti së qenuri studiues.
“Pikërisht si kryediplomat i Kosovës shkruan edhe librin e parë të tij mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të titulluar “Lufta e Ftohtë dhe Detanti” në vitin 1976”, veçoi kryeministri. Ai e jetonte atë që e studionte dhe e studionte atë që e jetonte”, tha më tej kryeministri Kurti.
“Për Ukshin Hotin, detyra e intelektualit nuk ishte t’i fliste të vërtetën pushtetit—siç thotë një definicion i famshëm i rolit të intelektualit në shoqëri… Përkundrazi, detyra e intelektualit është që t’ia thotë të vërtetën popullit duke ekspozuar publikisht gënjeshtrat e pushtetit. Duke bërë kështu, intelektuali i ndihmon popullit të vetëmbrohet intelektualisht nga propaganda e qendrave të ndryshme të pushtetit. Ky është misioni i vërtetë i intelektualit. Prandaj, Ukshin Hoti jep dorëheqje atëbotë nga pozita e sekretarit për marrëdhënie me botën jashtme. Ai e kupton shumë shpejt se t’i flisje të vërtetën pushtetit nuk ishte tjetër veçse një rënie në vetëkënaqësi. Duhej folur popullit”, u shpreh Kurti para të pranishmëve, njofton zyra e Kryeministrit.
Në ditëlindjen e 81-të të profesorit Hoti, kryeministri ftoi që të rikthemi te vepra e tij por edhe te shembulli që na ofron jeta e Ukshin Hotit.
Në njoftim bëhet e ditur se në oborrin e Universitetit të Prizrenit u shfaq gjithashtu ekspozita “Bëje ose Vdis” me fotografi nga jeta dhe vepra e Ukshin Hotit, letra të tij nga burgu, dorëshkrime të ndryshme dhe artikujt të shtypit.