Kryeministri Albin Kurti, ka falënderuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për kontributin e çmueshëm të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.
Këto komente, Kurti citohet t’i ketë thënë gjatë takimit të tij me Rutten në ndërtesën e Qeverisë të zhvilluar të martën (11 mars).
Siç njofton Kryeministria, Kurti ka theksuar se “aspirata e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO reflekton përkushtimin e vendit tonë ndaj vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe sigurisë dhe vullnetit për të kontribuar në fuqizimin të mëtejshëm të Aleancës”.
Gjithashtu, thuhet se Kurti e ka falënderuar Rutten për bashkëpunimin e ngushtë mes misionit të NATO-s, KFOR-it, dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës nëpërmjet misionit këshillëdhënës NALT.
Po ashtu, në takim thuhet se Kurti ka folur edhe për organizimin e zgjedhjeve parlamentare “të lira dhe demokratike, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve jo-shumicë”.
Megjithatë, kryeministri thuhet të ketë ngritur shqetësimin “për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Serbisë, me mbështetjen e Rusisë, ndaj komunitetit serb përmes presionit, shantazhit dhe dezinformimit”.
Ai theksoi se “raportet e misionit të vëzhguesve të BE-së kanë evidentuar përhapjen e dezinformatave nga mediat ruse me bazë në Serbi, si ‘RT Balkans’ dhe ‘Sputnik Srbija’, të cilat kanë shpërndarë mbi 60 artikuj që synonin manipulimin e komunitetit serb në Kosovë”.
Ndërkaq, kryeministri ka falënderuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe thuhet ta ketë theksuar gatishmërinë e Kosovës për të qenë përherë aleate në mbrojtje të vlerave demokratike.

























