Kurti: Kur bashkohen ekonomia e demokracia, fitojmë sigurinë ekonomike

Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në edicionin e 21-të të Forumit Ekonomik të Vjenës, në të cilin ishte folësi kryesor në sesionin e pas ditës me titull “Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë më parë”, transmeton KosovaPost.

Sipas njoftimit nga Kryeministria, Kurti fillimisht theksoi rolin e rëndësishëm të Austrisë dhe partneritetin e saj me Kosovën para dhe pas pavarësisë së vendit tonë. Ai tha se Kosova beson që partneritetet janë thelbësore për arritjen e prosperitetit dhe paqes rajonale.

Duke nënvizuar arritjen e marrëveshjes për Tregti të Lirë me shtete anëtare të EFTA-s dhe avancimin në përfaqësimin e Kosovës në CEFTA, ai u shpreh se për Kosovën, bashkëpunimi ekonomik nuk është vetëm një zgjedhje politike; është një domosdoshmëri strategjike.

Me këtë rast, kryeministri foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe 10-vjetorin e suksesshëm të Procesit të Berlinit. Veçoi njoftimin që ai bëri gjatë punimeve të samitit në Berlinit për sa i përket vendimit që duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, në mënyrë të njëanshme Kosova do të lejojë udhëtimin në drejtim të saj të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me letërnjoftime, siç parashihet me marrëveshjen e mobilitetit të nënshkruar në Berlin dy vjet më parë në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Kur njerëzit mendojnë në aspektin e bashkëpunimit ekonomik, ata duhet të mendojnë më shumë për mundësitë dhe përfitimet sesa për sfidat dhe rreziqet. Dhe ne kemi treguar se jemi bartës të standardeve kur bëhet fjalë për rregullat dhe vlerat. Vitet e fundit kemi treguar se demokracia dhe ekonomia shkojnë krah për krah”, tha ai.

Ai e ndërlidhi progresin vendor me atë të vendeve fqinje, duke potencuar se me përjashtim të fqinjit verior, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ose janë pjesë e NATO-s ose e kanë NATO-n brenda tyre, dhe të gjitha duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian, tha më tej.

“Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik nuk mund të ketë të bëjë vetëm me statistikat e rritjes dhe marrëveshjet tregtare. Ka të bëjë gjithashtu me nxitjen e qëndrueshmërisë demokratike brenda vendeve dhe solidariteteve të demokracive ndërmjet vendeve. Ne nuk e shohim bashkëpunimin ekonomik si një lojë zero-sum, por si një mundësi për arritje të përbashkëta. Partneritetet e qëndrueshme janë ato që bazohen jo në komoditete ose mallra, por në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Kur i bëjmë bashkë demokracinë dhe ekonomisë, besoj se fitojmë atë që na nevojitet më shumë: sigurinë ekonomike duke ruajtur dinjitetin njerëzor”, u shpreh kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.

Pas adresimit fillestar, kryeministri Kurti ishte pjesë e panelit të diskutimit. Në fund të Forumit, kryeministrit Kurtit, përkatësisht Republikës së Kosovës, iu nda çmimi “Vendi partner për vitin 2024” për kontributin e çmueshëm në përmbushjen e misionit të Forumit Ekonomik të Vjenës dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe afatgjatë.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika