Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar sonte për të bërë iftar me përfaqësuesit e Odës Tregtare Kosovaro-Turke dhe qytetarë të pranishëm në Çadrën e Iftarit te Pallati i Rinisë.
“Me këtë rast ju dëshiroj agjërim të lehtë në muajin e shenjtë të Ramazanit dhe një iftar të shijshëm sonte duke përkujtuar që ky muaj na thotë që të përqendrohemi tek ana jona shpirtërore, tek solidariteti me të tjerët, te mirëkuptimi me të gjithë, tek bashkëpunimi i shëndetshëm dhe tek vlerat e besimit e të shpresës”, u shpreh ai.
Falënderim të veçantë sonte, kryeministri pati për shkëlqesinë e tij ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, Kryetarin e Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Abdurrahman Balkiz, anëtarin e Odës dhe gjithashtu sponsorin e këtij iftari, z. Güriş si dhe organizatorin e çadrës së iftarit te Pallati i Rinisë, İskender Janova, njofton Zyra e Kryeministrit.