Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Botërore të Sindromës Down, ka theksuar rëndësinë e ofrimit të kushteve dhe qasjes së barabartë për të gjithë, transmeton KosovaPost.
Në një takim me disa të punësuar nëpërmjet Masës 1.6 Mbështetja e Personave me Aftësi të Kufizuara, kryeministri Kurti ka shprehur interesin për përvojat e tyre në vendet e punës dhe për praktikat e tyre.
“Jam shumë i lumtur që po ju mirëpres që të gjithëve në Zyrën e Kryeministrit, në Ditën Botërore të Sindromës Down, që na bën neve edhe më të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi për të ofruar kushte e qasje sa më të barabartë e të dinjitetshme për të gjithë pa lënë asnjeri prapa”, ka thënë Kurti.
Në këtë takim, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, përvojat e punës në pesë qendrat e Down Syndrome Kosova u ndanë nga Vjosa Asllani, Hanife Raci, Genc Beqiri dhe Agron Bilalli.
Sebahate Hajdini Beqiri, drejtore Ekzekutive e shoqatës Down Syndrome Kosova, ka theksuar mbështetjen e institucioneve dhe bashkëpunëtorëve për arritjen e kësaj pike.
Kryeministri ka theksuar nevojën për të përmirësuar dhe për të shtrirë mbështetjen shtetërore për personat me aftësi të kufizuara.