Kryeminsitri foli edhe për fushatën e spastrimit etnik që bëhet në mënyrë administrative, ndaj shqiptarëve në Luginë.
Kreu i shtetit theksoi se Qeveria serbe sistematikisht i ka hequr mbi 4.200 shqiptarë nga regjistri civil, në Medvegjë, dhe mbi 2.000 në Bujanovc.
“Kjo shlyerje nga regjistri ka pasoja të prekshme, pasi shqiptarët më nuk kanë qasje në letërnjoftime, pasaporta, shërbime familjare, ndihmë sociale, regjistrim të veturave, transaksione, pensione dhe të drejtë votimi.
“Kjo i bënë ata pa shtet. Kjo lloj fushate është metodë e de popullimit të shqiptarëve. Shqiptarët atje, nuk janë shënjestra e vetme e regjimit autoritar të Serbisë, me 2 janar të këtij viti The Guardian e ka përshkruar këtë si kapje e shtetit”, u shpreh Kurti.
Tutje tha se Parlamenti Evropian, miratoi me shumicë dërmuese një rezolutë që bën thirrje për hetim ndërkombëtarë në parregullsitë e zgjedhjeve që janë mbajtur në dhjetor, duke përmendur manipulimin e zgjedhjeve, abuzime verbale dhe mediat ruse që janë angazhuar në keqinformim në emër të Qeverisë së Serbisë.
Kurti ritheksoi se Serbia është përafruar me Rusinë – është i vetmi vend evropian përveç Bjellorusisë që nuk ka vendosur sanksione, pas sulmit të Vladimir Putin në Ukrainë, dhe vepron si Kalë Troje i Putinit në Ballkan, ndaj botës demokratike.