Në shënim të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë, në Mejë u mbajt tubim përkujtimor organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur, Këshilli Koordinues i asociacionit të familjarëve të të zhdukurve të Kosovës dhe Shoqata “27 prilli 1999 Mejë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani Sadriu dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kanë vendosur buqetë me lule në kujtim të Nënës Pashke dhe bënë nderime te memoriali i ngritur në përkujtim të vrarëve në masakrën në Mejë.
Me ç’rast, Kurti ka theksuar se masakra e kryer në Mejë dhe Korenicë më 27 prill 1999, është më e madhja.
“Atë ditë, në këto fshatra të Gjakovës u vranë 376 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Në mesin e tyre edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë. U vranë shqiptarët pa dallim moshe, gjinie, prejardhjeje, a feje. Këtu i kemi bashkë varret e myslimanëve e të katolikëve të vrarë vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë’’, u shpreh ai.
Teksa risolli në kujtesë ngjarjen e dhimbshme të Mejes, ai tha se sot do të donte që nga aty, nga Meja, ku 25 vite më parë është kryer masakra më e madhe gjatë luftës në Kosovë, të flas edhe për një luftë tjetër, një luftë të papërfunduar: luftën për luftën e Kosovës.
‘’Ndonëse lufta e armatosur dhe e përgjakshme në Kosovë përfundoi në qershor të vitit 1999, lufta për luftën e Kosovës, nuk ka përfunduar asnjëherë dhe ajo vazhdon edhe sot. Në njërën anë është Serbia autokratike që përpiqet t’i fshehë dhe mohoj krimet e kryera prej saj në Kosovë, duke u ikur përgjegjësive për to. Kurse në anën tjetër është Kosova demokratike, që me shoqërinë dhe shtetin e saj e thotë të vërtetën për luftën e Kosovës, që nga vendet ku janë kryer krimet gjatë luftës sikur Meja dhe deri në instancat më të larta ndërkombëtare, sikur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara’’ u shpreh kryeministri.
Ai foli për luftën speciale të shtetit të Serbisë për t’i përvetësuar, imponuar dhe dominuar narracionet për luftën e Kosovës. Përballë këtyre hileve të Serbisë me mashtrime, kryeministri theksoi se Republika e Kosovës lufton në të drejtën e saj kundër propagandës së Serbisë, në beteja për të vërtetën historike të luftës së Kosovës dhe për adresimin e saj para drejtësisë.
Sot, në përkujtim të kësaj dite, u bënë homazhe edhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës para Kuvendit të Republikës së Kosovës./teve1.info/