Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra mirëpriti një grupi studentësh.
Sipas kryeministrisë, në këtë vizitë studimore studentët patën rastin të mësojnë më shumë rreth proceseve qeverisëse, shkruan Arbresh.info.
Gjatë bashkëbisedimit, u theksua roli dhe rëndësia e digjitalizimit në arsim dhe në administratë, si në rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarë ashtu edhe në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve.
Përveç objektivave për cilësi në arsim të theksuara nga kryeministri Kurti, mbështetja e Qeverisë së Kosovës për studentët u dëshmua edhe në kuadër të pakove në përballje me inflacionin, ku në dy raste të ndara të gjithë studentët aktivë që studiojnë në programet e akredituara në Republikën e Kosovës përfituan nga mbështetja e njëhershme financiare.
“Studentët u shprehën mirënjohës për takimin, për të cilin thanë do të nxisë interesimin dhe motivin e tyre për t’u angazhuar dhe kontribuar profesionalisht në sektorin publik dhe administratën publike, si një prej shtyllave kryesore të shtetit dhe shërbimeve për qytetarë.”, thuhet në njoftim.