Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka theksuar sa ka ngecje në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por jo me fajin e Kosovës.
“Në 27 shkurt të vitit të kaluar bëmë marrëveshje. Ajo marrëveshje është njohje defakto së paku. Më 18 mars ia bashkëngjitëm edhe një aneks dhe aty thuhet se asnjë nen nuk është më i rëndësishëm se tjetri. Kur u pa progresi, Serbia filloj sistematikisht t’i shkel e të mos i respektoi 11 nene, 8 prej tyre me siguri i ka shkelur shumë herë dhe gjashtë fjali në preambulë. Për fatin ton të keq, Brukseli si një arbitër nuk reagonte me rastin e këtyre shkeljeve. Pra moszbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit nga Ohri e kanë mbajt temën e dialogut gjallë. Pra flitet shumë për dialogun sepse nuk kemi arritur rezultatet e dëshiruara”, ka deklaruar Kurti në RTK.
Sipas tij, problemet lindën kur Brukseli nuk e përdori fuqinë e tij, i cili si arbitër ta sanksionoi Serbinë sa herë ka shkelje të marrëveshjes.
“Nuk mund te kemi zbatim të marrëveshjes derisa kemi shkelje të saj. Sot jemi në këtë situatë jo të mirë për shkak se arbitri nuk e ka qortuar Serbinë që bëri shkelje të marrëveshjes”, ka thënë kreu i ekzekutivit.
Kryeministri Kurti ka thënë se ka ende diplomat në BE që mendojnë se Serbia nuk është me Rusinë.
“ Është një lloj brenge që nëse qortohet Serbia ajo do të shkoj me Rusinë, me Kremlinin, e presidentin despotik Putin, thua ti që tashmë se ka bërë këtë gjë. Ka shumë diplomat në perëndim të cilët duan të besojnë që Serbia ende nuk ka shkuar me Rusinë. Kujdesi i tepruar ndaj Serbisë, të cilin e pranojnë në takime private, se nuk është paguar, mirëpo dëmi është bërë”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur për Asociacionin e komunave më shumicë serbe Kurti, ka thënë se për këtë i ka dy marrëveshje të trashëguara një në vitin 2013-2015.
Por tash Kosova, sipas tij, e ka një marrëveshje të re me Serbin e cila është edhe në dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian, e të Këshillit
Evropian ku janë krerët e 27 shteteve.
“Aty është edhe neni 10 që thotë se të gjitha marrëveshjet e kaluara janë të vlefshme dhe ligjërisht të obligueshme, e neni i shtatë thotë vetë-menaxhim për komunitetin serb”, ka thënë ai.
Kurti ka deklaruar se marrëveshja bazike e 27 shkurtit është e mirë por edhe aneksi i zbatimit të Ohrit është i mirë.
“Kur e ka pa Serbia se ku ka përfunduar me këto dy marrëveshje, atëherë ka filluar ta sabotoj zbatimin e të bëjë shkelje të përjavshme, sa që në fund, deri dje kryeministrja e Serbisë dërgoi letër ku tha se ne tërhiqemi nga ato marrëveshje, sepse nuk e pranojmë as pavarësinë, as ulësen në OKB, dhe nuk e pranojmë as integritetin territorial të Kosovës. Praktikisht na kthej në pikën zero dhe nuk mori ndëshkim nga Brukseli”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri Kurti duke folur për çështjen e zbatimit të rregullores së BQK-së, e cila thotë se valutë e vetem për këmbim është euro në
Kosovës, ka thënë se Qeveria është e gatshme të ndihmojë ku ka nevojë gjatë zbatimit.
“Nuk mund të ndërhyjmë te plani i BQK-së për zbatim e as te rregullorja e cila tashmë është aprovuar. Sa i përket dinarit si Qeveri e Kosovës kemi dhënë opsione që i qëndrojmë prapa…Por, Qeveria e Kosovës është e gatshme të mbështes zgjedhjet e çfarëdo problemi faktik që mund të shfaqet”, ka thënë Kurti.