Kryeministri Albin Kurti, në debatin për politikën e jashtme të Kosovës i cili po zhvillohet sot në Kuvend , ka thënë se Qeveria ka kthyer dialogun me Serbinë nga “takimet e fshehta për ndarjen e Kosovës”, në një proces transparent i cili njohjen reciproke e ka në qendër të saj.
“E kthyem dialogun nga takimet e fshehta për ndarjen e Kosovës në një proces transparent që e ka njohjen reciproke në qendër të saj. Në këtë mënyrë Serbia është ç’armatosur në luftën e saj kundër Kosovës”, është deklaruar Kurti.
Duke folur për diplomacinë aktuale, kryeministri Kurti ka bërë të ditur se kanë nënshkruar 85 marrëveshje ndërkombëtare dhe teknike si dhe kanë nisur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtete të reja.
Për më tepër, krey i ekzekutivit të vendit bëri të ditur se ka nënshkruar një rregullore të re për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, “e cila do t’i përgjigjet nevojave të kohës”.