Në 25-vjetorin e vrasjes së 14 personave në lagjen ”Sofali” të Prishtinës dhe 1 personi ende të zhdukur, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule te lapidari që mban emrat e të vrarëve, në kujtim të kësaj ngjarjeje të dhimbshme nga lufta e fundit, përcjell KosovaPost.
Kjo masakër, në lagjet e Prishtinës, në kryeqytet, këto vrasje e zhdukje me dhunë sikurse të gjithat masakrat e tjera në Kosovë, kryeministri tha se janë dëshmi e pamohueshme e krimeve të Serbisë të kryera gjatë luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit në vitet 1998-1999.
Në këtë përvjetor, para të pranishmëve aty, ai shtoi se krahas mbajtjes gjallë të kujtimit të rënëve, të thellë e kemi mirënjohjen për të gjithë ata, të cilët kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës.
“Falënderim për familjet e dëshmorëve dhe martirëve, të luftëtarëve të lirisë dhe të gjithë atyre, të cilët nuk kursyen asgjë për çlirimin e Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti, teksa kujtoi edhe homazhet e sotme që nisën me fillim të ditës, nga homazhet e viktimave të familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë, e më pastaj në Izbicë të Skenderajt.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri u zotua se është detyrë e jona të vazhdojmë rrugëtimin me guxim dhe shpresë për të ardhmen. “Andaj, lavdi martirëve e dëshmorëve këtu në Prishtinë, dhe të gjithë të rënëve për liri anembanë Kosovës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!”, theksoi ai.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Selimi dhe Mefail Bajqinovci,
Të nderuar kolegë nga institucionet shtetërore,
I nderuar z.Enver Redenica, kryetar i Bashkësisë Lokale “Sofali”,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve e të martirëve, invalidë të luftës e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
I nderuari z.Fatmir Sopa,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Jemi këtu sot për të përkujtuar 25-vjetorin e një ngjarje të dhimbshme nga lufta e fundit. Forcat e armatosura të Serbisë gjatë luftës këtu, vranë 14 banorë të kësaj pjese të kryeqytetit 25 vjet më parë, ndërkaq, Shyqeri Ramadani ende është i zhdukur.
Pesë vite më parë, ne ishim këtu për ta zbuluar lapidarin e ngritur me emrat e martirëve për t’i mbajtur gjallë në kujtesën tonë dhe të brezave, të cilët do të vijnë pas nesh, si dëshmi e përjetshme e çmimit të lirisë, të cilën e gëzojmë sot së bashku.
Janë bërë 10 vjet, prejse në këtë datë është bërë dhurimi vullnetar i gjakut. Ky është një nderim për jetët e dhëna për lirinë, të cilën e gëzojmë ne për jetën në liri.
Krahas mbajtjes gjallë të kujtimit të rënëve, të thellë e kemi mirënjohjen për të gjithë ata, të cilët kanë kontribuuar për çlirimin e Kosovës. Falënderim për familjet e dëshmorëve dhe martirëve, të luftëtarëve të lirisë dhe të gjithë atyre, të cilët nuk kursyen asgjë për çlirimin e Kosovës.
Kjo masakër, në lagjet e Prishtinës, këtu në kryeqytet, këto vrasje e zhdukje me dhunë sikurse të gjithat masakrat e tjera në Kosovës janë dëshmi e pamohueshme e krimeve të Serbisë të kryera gjatë luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit në vitet 1998-1999.
Unë po vij këtu nga Izbica. Në Drenicë, u përkujtuan sot 147 shqiptarë të vrarë, të cilët u rrëmbyen sa ishin gjallë dhe u pushkatuan.
Pasi u varrosën, i zhvarrosen dhe trupat ja u dërguan në Serbi në varreza masive atje. Por më pastaj u zhvarrosen sërish për t’u rivarrosur në atdheun e tyre, por jo të gjithë. Gjashtë prej tyre ende janë të pagjetur. Janë të zhdukur. Në mëngjes, para kësaj, ishim në Llap, në Podujevë për të nderuar viktimat civile të familjes Bogujevci, Lluglaliu e Duriqi të cilët u vranë mizorisht nga njësiti serb ”Shkorpionët” që gjithashtu e ka kryer masakrën e Srebrenicës, pra gjenocidin në Bosnjë dhe Hercegovinë. Si institucione të shtetit, si qytetarë të Republikës, atyre ne u jemi gjithmonë borxhli për jetën e dhënë e po ashtu e kemi obligim sa të jetë jeta që të angazhohemi për drejtësi për ta.
Toka e Kosovës është e mbushur me varret e të vrarëve gjatë luftës. Varret e hapura ende presin kthimin e bijve e bijave tona, janë plagët tona të hapura. Për t’u shëruar nevojitet e vërteta, nevojitet drejtësia. Kujtimi ynë për të vrarët për rrugën për çlirim nuk është vetëm një akt përkujtimor por dhe një detyrim moral për të luftuar kundër harrimit të secilit prej neve, kundër harresës sonë kolektive, për të mësuar nga e kaluara jonë që mos të na përsëritet kurrë as neve, as gjeneratave që do të vijnë pas nesh. Është detyrë e jona të vazhdojmë rrugëtimin me guxim dhe shpresë për të ardhmen. Andaj, lavdi martirëve e dëshmorëve këtu në Prishtinë, dhe të gjithë të rënëve për liri anembanë Kosovës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!