Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot një delegacion gjerman nga Bavaria të udhëhequr Gerhard Hopp, e të përbërë nga deputetë të parlamentit bavarez, përfaqësues të Kancelarisë së Bavarisë dhe përfaqësues të bizneseve nga Bavaria, që shoqëroheshin nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, transmeton KosovaPost.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate ka njoftuar se gjatë këtij takimi është folur për marrëdhëniet e forta dhe të afërta ndërmjet dy shteteve.
“Krahas diskutimit për zhvillimet politike dhe synimet e Republikës së Kosovës për integrim euroatlantik, për çka parlamentarët bavarez shprehën mbështetjen e tyre, temë ishin edhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, veçanërisht përmes odave ekonomike”.
“Kryeministri Kurti i njoftoi mysafirët për politikat e qeverisë me qëllim zhvillimin ekonomik dhe punësimin, duke përfshirë këtu sistemin dual të arsimit, të frymëzuar nga modeli i vendeve gjermanofolesë, i cili në Kosovë po gjen zbatim në 23 shkolla në gjithsej 14 komuna me 12 profile, dhe digjitalizimin e shërbimeve për një mjedis më të mirë të të bërit biznes”.
“Ai falënderoi të pranishmit për vizitën që po i bëjnë Kosovës dhe mbështetjen për vendin tonë, kurse përfaqësuesve të bizneseve u bëri thirrje që të hulumtojnë mundësitë dhe përparësitë që i ofron Kosova për investitorë të huaj”, thuhet tutje në komunikatë.