Dyert u hapën sërish për ta pritur të zotin e shtëpisë, Blerim Ramadanin.
Ish-ushtari i UÇK-së, pas arratisjes nga Maqedonia e veriut, në Nerodimen ku kishte luftuar për çlirim, arriti në orët e vona të së enjtes.
Punët e oborrit që i kishte lënë në gjysmë, ditën kur u nis drejt shtetit fqinje ku edhe u ndalua, 47-vjeçari është gati t’i vazhdojë, veçse fillimisht duhet t’i presë e përcjellë, të afërmit të cilët pareshtur i vinin për vizitë.
Beli siç e thërrisnin bashkëluftëtarët, nuk qe i gatshëm që publikisht të deklarohet lidhur me përvojën në Shkup ku u mbajt në paraburgim e arrest shtëpiak për më shumë se tri javë.
Megjithatë, prapa kamerës tha se nuk ndjehet krenar për arratisjen, por konsideron se e kishte të vetmen rrugë, meqë i gjallë ishte betuar se nuk do binte në duar të shtetit serb.
Këto dyshime iu kishin shtuar në momentin kur Gjykata Themelore atje kishte vendosur ta kthente sërish në paraburgim.
Bashkëfshatarët, konsiderojnë se nuk gaboi fare që u largua.
Blerim Ramadani ishte ndaluar më 17 korrik, kur po hynte në Maqedoni të Veriut.
Derisa mbahej në arrest shtëpiak, Gjykata Themelore Penale kishte vendosur që të mos e ekstradonte në Serbi.
Por, në ditën e fundit kur pritej vendimi final i Gjykatës Supreme, Penalja vendosi që ta kthente sërish në paraburgim./atvlive.tv/