Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mbrëmë është pritur nga bashkatdhetarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni.
Ai shprehu mirënjohjen për angazhimin, punën dhe kontributin e tyre në shoqërinë sllovene dhe për vendin e tyre të origjinës, Kosovës dhe Shqipërinë.
Sipas komunikatës së kryeministrisë, ai theksoi se ata janë një urë e jashtëzakonshme ekonomike, kulturore dhe tregtare ndërmjet dy vendeve.
“Ne asnjëherë nuk e harrojmë rolin që e ka luajtur Republika e Sllovenisë prej strehimit të disidentëve dhe shqiptarëve të persekutuar në vitet e ’80-ta dhe sidomos në vitet e ’90-ta, pastaj për rolin e tyre në çlirimin e Kosovës dhe më pas për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për mbështetjen tonë në arenën ndërkombëtare çdo herë kur është kërkuar nevoja”, tha kryeminstri Kurti.
Kurti u bëri thirrje mërgimtarëve të regjistrohen online në kuadër të regjistrimit të popullsisë deri më 31 dhjetor, duke i inkurajuar t’i deklarojnë edhe dëmet, vuajtjet, humbjet që i kanë përjetuar si individë dhe si familje në luftën e fundit në Kosovë, pasi për herë të parë është duke e bërë regjistrimi i dëmeve të luftës në nivel shteti.
Gjithashtu u bëri thirrje që regjistrohen online për votim nga jashtë në mënyrë që të mund të përfitojnë nga lehtësimet që ofron ligji i ri për zgjedhje të përgjithshme, përkatësisht votimin në ambasada dhe konsullata dhe votimin me postë brenda vendit.
Afati për këtë regjistrim është deri më 26 dhjetor.