Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.
Sipas një komunikate për medie të Qeverisë së Kosovës, Kurti e falënderoi Kollyn për bashkëpunimin e ndërsjellë gjatë gjithë mandatit të tij dhe për kontributin e tij në ruajtjen dhe përparimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve.
“Krahas bashkëpunimit, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Kolly edhe për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës, e cila ka qenë e rëndësishme në secilën fazë të çlirimit, shtetndërtimit dhe zhvillimit të saj.
Zvicra është vendi i dytë për nga investimet direkte në Kosovë, ndërkaq vetëm për vitet 2022-2025 ka ndarë afërsisht 86 milionë CHF për Kosovën veçanërisht në fushat e Qeverisjes Demokratike dhe Paqes, Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik dhe Ndryshimet Klimatike, Uji dhe Shëndeti”, thuhet në komunikatë.
























