Në mbledhjen e komemrorative të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kryeministri, Albin Kurti tha se Rexhep Qosja mbrojti vazhdimisht rëndësinë e kulturës si bazë të vetëdijes kombëtare dhe si instrument për emancipim shoqëror, duke ndikuar, sipas tij, në formimin intelektual të brezave të tërë në hapësirën shqiptare.
Kurti tha se, Rexhep Qosja ishte modeli i intelektualit publik, dhe puna e tij shkencore ishte e pandarë nga angazhimi për identitetin kombëtar, shtetësinë e Kosovës dhe bashkimin shqiptar.
“Studimet e tij për rilindasit, sidomos vepra “Porosia e madhe”, kushtuar poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri, apo studimet për Asdrenin e të tjera, ndihmuan shumë në formimin kombëtar të shqiptarëve, nën ish-Jugosllavi”, deklaroi Kurti në mbledhjen komemorative të organizuar nga ASHAK-u, me rastin e ndarjes nga jeta të akademikut, Rexhep Qosja.
Sipas kreut të ekzekutivit kosovar, studimet e Rexhep Qosjes dhe të kolegëve të tij, për gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin shqiptar, përgatitën dy breza të shqiptarëve për përballjen politike dhe shoqërore që do të vinte në dekadat 1980 e më pas 1990, për mbrojtjen e të drejtave dhe të dinjitetit kombëtar.
“Kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë, dhe u shtua shtypja mbi shqiptarët, Rexhep Qosja u bë zëri më i spikatur akademik e intelektual shqiptar. Ai denoncoi në shtypin jugosllav e ndërkombëtar gënjeshtrat e propagandën e atyre intelektualëve serb që do të shkruanin e përkrahnin memorandumin famkeq të akademisë serbe nga viti 1986, dhe që përgatitën terrenin për gjenocidet që Serbia do t’i ndërmerrte në vitet e ’90-ta”, tha Kurti.
Sipas kryeministrit, Qosja u bë zëdhënësi i popullit të ndaluar. “Siç titullohet njëra prej veprave të tij të shumta, dhe kjo ishte një përmbledhje e polemikave të tij me intelektualët jugosllav të kohës”, tha ai.
Kurti u shpreh se, Qosja frymëzoi breza studentësh, i dha guxim e zë drejtësisë së protestave studentore të vitit 1981. “Që u bënë edhe demonstrata gjithpopullore e madje posaçërisht kur dukej që vala e tyre kishte rënë”, deklaroi kryeministri Kurti.
Kurse, Justina Shiroka Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e ka cilësuar të ndjerin Qosja si zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe mbrojtës i së vërtetës.
“Akademik Qosja ishte më shumë se një shkrimtar. Ai ishte një institucion në vete, një zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe një mbrojtës i palëkundur i së vërtetës. Humbja e tij nuk është vetëm humbje e letërsisë dhe kulturës sonë. Ajo përmban një humbje të madhe kombëtare, një zbrazëti që prek ndërgjegjen intelektuale të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Veprimtaria e tij shumëdimensionale si studiues, shkrimtar, kritik letrar dhe mendimtar publik përfaqëson arritje të rëndësishme të kulturës shqiptare bashkëkohore. Ai ndërtoi një opus të gjerë dhe të qëndrueshëm, i cili jo vetëm pasuroi fondin tonë shkencor e letrar, por edhe kontribuoi në frymëzimin e vetëdijes sonë kombëtare në periudha vendimtare historike”, tha ajo.
Sipas saj, trashëgimia e tij do të mbetet një udhërrëfyes i çmuar, një pasuri e mendimit, e krijimtarisë dhe integritetit që do të vazhdojë të frymëzojë brezat që vijnë.
“Vepra e tij do të vazhdojë të jetë si një referencë e rëndësishme e dijes dhe si një burim frymëzimi për studiuesit, krijuesit dhe të gjithë ata që besojnë në fuqinë e mendimit të lirë. Akademik Qosja mishëroi në mënyrë të denjë figurën intelektuale të angazhuar, të përkushtuar ndaj së vërtetës dhe të palëkundur në mbrojtje të vlerave themelore të shoqërisë. Ai mbeti gjithmonë konsekuent në mendimin e tij, duke dëshmuar integritet të lartë dhe guxim qytetar edhe në rrethana kur fjala e lirë kërkonte sakrificë”, tha Shiroka Pula.
Sekretarja shkencore në Akademinë e Skencave dhe Arteve të Shqipërisë, Anila Hoda theksoi se Rexhep Qosja ishte një erudit i rrallë, një personalitet i jashtëzakonshëm i kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar dhe shkrimtar i mirënjohur.


























