Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, në rastin e 18 vjetorit të vdekjes.
Kurti nga Velania tha se e kujton Rugovën për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës.
“Sot vendosëm lule të freskëta te varri i presidentit Ibrahim Rugova, i cili është edhe presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kur Republika ishte Republikë për rezistencë ndaj okupimit të Serbisë, por edhe president i parë i Kosovës së çliruar”, tha Kurti para mediave.
Kryeministri tutje tha se presidenti Rugova e kuptonte si rrallëkush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore.
“Sot në 18 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës. Si shkrimtar shqiptar, presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallëkush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore gjatë viteve të ’90-ta”, u shpreh Kurti./