Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar 80 vjetorin e çlirimit të kampit të Aushvicit njëherit edhe Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, përcjell KosovaPost.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti tha se shqiptarët u bënë shembull në botë dhe në histori për strehimin, mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve, shkruan Arbresh.info.
“Në ato vite të errëta, teksa qindra shqiptarë ishin gjithashtu viktima të Holokaustit në kampet e përqendrimit, shqiptarët u bënë shembull në botë dhe në histori për strehimin, mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve. Familje të tëra dhe individë nga komunitetet e hebrenjve kryesisht nga Evropa Qendrore dhe Lindore, gjetën mbrojtje në familjet shqiptare, që refuzuan t’i dorëzonin dhe që gjetën mënyra për t’i fshehur ata para autoriteteve gjermane dhe italiane. Ndërkaq, pas Luftës së Dytë Botërore, numri i hebrenjve në Shqipëri ishte rreth 10 herë më i madh se sa para luftës. Në dekadat pasuese dhe deri sot, dhjetëra shqiptarëve dhe familjeve shqiptare u është njohur titulli “Fisnikë mes kombesh”, për kontributin e dhënë për shpëtimin e hebrenjve.”, ka shkruar Kurti.