Kryeministri Albin Kurti në tre vjetorin e qeverisjes së tij, ka thënë se data 14 shkurt shpreh përkushtimin dhe dashurinë për Republikën e Kosovës. Ai ka thënë se të gjithë qytetarët e vendit duhet të kontribuojnë për mirëqenie dhe sundim ligji.
“Kosova e 14 shkurtit sot pas tri vitesh është Republikë më e fortë, më e qëndrueshme dhe më e mirë për të jetuar. Në Republikën e Kosovës më 14 shkurt nuk shënohet vetëm dashuria ndaj njerëzve të dashur, por shënohet edhe dita e dashurisë dhe përkushtimit për Republikën tonë”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur pakot si ndihmë për qytetarët, arsimin universitar falas dhe arsimi dual në ciklin e ulët, rritjen ekonomike dhe të investimeve të të huajve, investimet në Forcat e Sigurisë së Kosovës, liberalizimi i vizave si të arritura të qeverisë.
“Avancuam politikën e jashtme. Liberalizimi i vizave u jetësua sivjet, e realizuam ndonëse nuk e kishim premtuar. Spanja njohu pasaportat tona, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli hoqën vizat për qytetarët tanë”, ka shtuar ai.
“Kosova është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të kontribuojnë për të. Sundimi i ligjit dhe shpërndarja e mirëqenies na bashkojnë pa dallim etnik”, ka shtuar Kurti.


























