Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili sot e tha fjalën përmbyllëse në mbledhjen e dy qeverive Kosovë-Shqipëri e cila po mbahet në Elbasan, tha që duhet të tejkalohen kufijtë për të shkuar tek njëri-tjetri, por nuk duhet të tejkalohet zbatimi i marrëveshjeve që do të firmosen.
Kurti tha që koha si udhëheqës të institucioneve është “kohë e shtetit që mbahet me tatimet dhe taksat e qytetarëve”.
“Faleminderit të gjithë anëtarëve të kabineteve tona qeveritare. Ju faleminderit për punën, angazhimin kontributin dhe t’i tejkalojmë kufijtë hapësinorë duke vajtur e ardhur tek njëri tjetri por të mos i kalojmë e tejkalojmë kufijtë kohorë të zbatimit të marrëveshjeve për të cilat dakordohemi tani sepse koha jonë si udhëheqës të institucioneve nuk është e jona, është kohë e shtetit që mbahet me tatimet dhe taksat e qytetarëve tanë dhe mirëmbahet prej qeverive tona të drejta”, u shpreh Kurti.