Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë ka komentuar situatën politike dhe sigurinë në vend, duke përmendur sulmet terroriste nga struktura serbe dhe ndikimet e BE-së përmes ‘masave’ ndaj Kosovës.
Ai tha se opozita parlamentare ka penguar Kosovën përmes mos konstituimit të Kuvendit dhe mos votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit, edhe opozita e tanishme t’ia heq masat Kosovës,” tha Kurti.
Kryeministri gjithashtu nënvizoi përkushtimin e Kosovës ndaj integrimit evropian dhe ruajtjen e vlerave demokratike.
“Institucionet e Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit dhe de-eskalimi i situatës ishte pikërisht meritë e institucioneve të Kosovës,” theksoi ai.
Ai përmendi dy sulme terroriste me pasoja të rënda ndaj institucioneve kosovare.
“Ai në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, dhe tjetri në kanalin Ibër–Lepenc në Varakë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024, që synonte dëmtimin e pariparueshëm të infrastrukturës kritike.”
Kurti shtoi se për të dyja rastet janë ngritur aktakuza, dhe provat tregojnë përfshirjen e shtetit serb dhe strukturave paramilitare në këto sulme.
“Për rastin e parë ekzistojnë dëshmitë që ka qenë plan serb për aneksimin e veriut, ndërsa provat për rastin e dytë konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit serb,” tha ai.


























