Me përhapjen e koronavirusit dhe një kthim në mbyllje, me çmime të larta të energjisë që kanë shteruar xhepat e tyre dhe kanë shtyrë shumë kompani energjetike drejt falimentimit, evropianët janë duke e përjetuar edhe një dimër të ashpër, përcjell KosovaPost.
Kontinenti i vjetër po përballet me një rritje rekord dhe të paprecedentë të çmimit të gazit, i cili është burimi kryesor i ngrohjes në shtëpitë evropiane dhe pa të cilin është e pamundur, sidomos me ardhjen e dimrit dhe uljen e temperaturave nën zero.
Shumë kompani të shpërndarjes së energjisë janë në prag të falimentimit, sepse nuk duruan dot rritjen marramendëse të çmimit të gazit në botë, e cila, nga ana tjetër, ndikoi në faturat e energjisë në Evropë. Sa është çmimi i gazit në Evropë?
Çmimet e gazit në Evropë janë rritur me më shumë se 600 për qind që nga janari dhe vazhdojnë të shënojnë rritje rekord deri më sot. Çmimi i gazit afroi 200 dollarë për megavat-orë, krahasuar me 20 dollarë në janar. Nga e merrte gazin Europa? Evropa po paguan çmimin e varësisë së saj pothuajse të plotë nga gazi nga jashtë për të plotësuar nevojat e saj, veçanërisht nga Rusia.
Tetëdhjetë për qind e furnizimit me gaz të Evropës vjen nga Rusia, Norvegjia dhe Algjeria, dhe përqindja më e madhe bie mbi Rusinë përmes tre tubacioneve. Sa i përket një vendi si Gjermania, ajo merr 90 për qind të nevojave të gazit nga jashtë, veçanërisht nga Rusia, ndërsa Britania importon dy të tretat nga jashtë për të mbuluar nevojat e saj. Niveli i depozitimit të gazit në Evropë ka arritur vlerat më të ulëta në dhjetë vitet e fundit.
Që nga fillimi i nëntorit, magazinimi në Evropë ka rënë me 14.1 miliardë metra kub, krahasuar me një tërheqje mesatare prej 11.1 miliardë metra kub gjatë dimrit, kur kërkesa për gaz për ngrohje është në rritje. Prandaj, vende si Franca, Spanja dhe Portugalia kanë thënë se po përballen me mungesa reale dhe të paprecedentë të gazit.
Sa i përket Britanisë, ajo ka mbyllur stacionin e saj të magazinimit të gazit dhe rezervat e saj të gazit janë praktikisht inekzistente. Cili shtet është më i prekur? Britania është një nga vendet më të prekura nga rritja e mprehtë e çmimeve të gazit, pasi një e treta e shtëpive mbështeten në gaz në furnizimin e tyre me energji.
Çmimet e gazit në Britani janë rritur 250 për qind që nga fillimi i këtij viti dhe çmimet e gazit janë rritur 75 për qind nga gushti në shtator, duke bërë që 26 kompani të energjisë elektrike në Mbretërinë e Bashkuar të falimentojnë. Sipas disa dhënave, ekziston mundësia që vitin e ardhshëm të falimentohen më shumë se 60 kompani të shpërndarjes së gazit nëse kjo situatë vazhdon.
Akuzat evropiane i drejtohen Rusisë, sepse ajo redukton qëllimisht furnizimet me gaz në Evropë, pavarësisht garancive të presidentit rus Vladimir Putin se do të mbajë një nivel normal të furnizimit me gaz. Për shembull, gazsjellësi Yamal, në pronësi të Gazpromit rus, i cili kalon përmes Polonisë në Evropë, uli furnizimin me 11 për qind në vetëm brenda dy ditëve. Kjo linjë është më e vogla nga tre linjat për transportin e gazit rus në Evropë dhe është përgjegjëse për 10 për qind të dërgesave ruse në Evropë./KosovaPost/.