Shkruan: Vudi Xhymshiti
[Fragment/Excerpt] OJQ-ja kosovare, “S Bunker”, javën që shkoi udhëhoqi një sulm të koordinuar ndaj besueshmërisë së revistës “Frontliner”, me qëllim të parandalimit të leximit të gjetjeve tona, që vënë në pikëpyetje integritetin e misionit diplomatik të SHBA-ve në diaologun Kosovë-Serbi.
Në një shfaqje shqetësuese që mund të përshkruhet vetëm si një fushatë e koordinuar ad-hominem, figurat kyçe të lidhura me OJQ-në e financuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe USAID, “S Bunker”, konkretisht Bardh Bakija, Visar Xhambazi dhe Agon Maliqi, kanë shfrytëzuar rrjetet sociale me qëllim të përpjekjes për të dëmtuar besueshmërinë dhe për të denigruar revistën britanike “Frontliner”. Deklaratat e tyre shpërfaqin një strategji klasike të vrasjes së karakterit, duke synuar të cënojnë besueshmërinë e një entiteti gazetaresk që guxoi të shtrojë pyetje lidhur me integritetin diplomatik të SHBA-së.
Bardh Bakija, Drejtori Ekzekutiv i “S Bunker”, pretendoi se një përgjigje ekskluzive nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së, i ishte dërguar OJQ-së që ai e drejton, e cila duket t’i ketë kundërshtuar dyshimet dokumentueshëm të pretenduara nga “Frontliner”, duke i etiketuar ato si të rreme. Ky veprim strategjikisht përputhet me taktikat e diskreditimit në vend që OJQ-ja të merrej me thelbin e dyshimeve të hapura nga “Frontliner”. Duke e paraqitur reagimin e pretenduar të SHBA-së, si një zbulim ekskluziv, Bakija jo vetëm që përpiqet ta ngrejë besueshmërinë e OJQ-së së tij “S Bunker”, por ai edhe manipulon përceptimin publik kundër “Frontliner”, duke u përpjekur që t’i pengojë ose t’i dekurajojë hetimet ndaj praktikave diplomatike të SHBA-së.
Visar Xhambazi, Redaktori dhe Menaxheri i Projekteve në “S Bunker”, shkroi në ‘X’ se ekipi i tyre kishte hetuar në mënyrë të plotë akuzat e bëra nga “Frontliner” dhe i kishte gjetur ato si të pabaza. Ky pretendim i tillë është veçanërisht problematik pasi pretendon të hedhë poshtë punën hulumtuese të një personeli të gjërë hulumtues pa ofruar prova të dukshme, duke u përpjekur kështu që të sulmojë integritetin gazetaresk. Pretendimi i Xhambazit se gjetjet e tyre janë përfundimtare, pa ofruar transparencë në procesin e tyre hetimor hedh dyshime mbi paanshmërinë e gjykimit të tyre dhe shërben si taktikë për ta ulur kredibilitetin e “Frontliner” përmes insinuatave në vend të fakteve.
Agon Maliqi, bashkëthemelues i OJQ-së kosovare “S Bunker”, mori një qasje më të drejtpërdrejtë në sulmin e tij duke e etiketuar revistën “Frontliner”, si “një burim shumë i dyshimtë i dezinformimit.” Postimi i Maliqit është një shembull klasik i sulmit ad-hominem, duke synuar sulmin e karakterit të medias në vend të përmbajtjes së artikullit që është shkruar më 22 Mars, 2024. Etiketimi i tillë përbuzës ka për qëllim të diskreditojë paraprakisht revistën “Frontliner” në sytë e publikut dhe praktikantëve të tjerë të medias, duke synuar të reduktojë dhe ta sulmojë ndikimin dhe seriozitetin e nivelit të lartë të cilësisë së raportimit.
Veprimet e përfaqësuesve të OJQ-së “S Bunker” përputhen shqetësueshëm me taktikat “përmbysëse” të përshkruara nga Yuri Bezmenov, një ish-informator i KGB-së, i cili paraqiti metodat dhe strategjitë e përdorshme për të destabilizuar dhe manipuluar shoqëritë armiqësore. Sipas Bezmenovit, këto taktika përfshijnë demoralizimin dhe në fund destabilizimin e shtyllave të shoqërisë, përmes dezinformimit dhe vrasjes së karakterit të cakut të tyre. Duke sulmuar besueshmërinë e revistës “Frontliner”, “S Bunker” kontribuon në demoralizimin e entiteteve gazetareske që mbajnë pushtetet para llogaridhënies, duke çuar potencialisht në një destabilizim të besimit në media të pavarura.
Taktikat e përdorura nga OJQ “S Bunker” dhe personeli i saj udhëheqës, pasqyrojnë një kuptim të sofistikuar të parimeve të përshkruara nga autorë të njohur në fushën e propagandës dhe manipulimit të mediave. Secili nga këto figura, Bardh Bakija, Agon Maliqi dhe Visar Xhambazi, përdorin strategji që rezonojnë thellësisht me teknikat manipulative të përshkruara nga Edward Bernays, Noam Chomsky, Anne Applebaum, dhe hulumtues si Christopher Paul dhe Miriam Matthews.
Edward Bernays thekson fuqinë e formimit të opinionit publik përmes mjeteve të fshehta. Veprimet e përfaqësuesve të OJQ-së ‘S Bunker’ përputhen me përvojat e Bernays-it, pasi ata përdorin platformën e tyre për të inxhinieruar në mënyrë të hollësishme pajtimin rreth idesë se revista “Frontliner” është jokredibile. Kjo është një taktikë që arrihet jo përmes dialogut të hapur apo përgjigjeve faktike, por përmes diskreditimit strategjik, duke manipuluar kështu perceptimin publik duke e mbajtur orkestrimin të ndarë që ta shmangin plotësisht vëzhgimin e njëtrajtshëm nga lexuesi.
Koncepti i Noam Chomsky-t për “Manufacturing Consent” (Shqip: Prodhimin e Detyrueshëm të Pajtimit nëpërmjet taktikave të orkestrimit) është veçanërisht i rëndësishëm këtu. Chomsky argumenton se entitetet mediatike ose OJQ-të dhe përfaqësuesit e tyre mund të prodhojnë pajtimin publik, duke i deklaruar disa media si të pabesueshme, në këtë mënyrë këto entitete përpiqen për t’i margjinalizuar zërat kundërshtues. Shpërfillja e orkestruar e gjetjeve të dokumentueshme të revistës Frontliner nga figura si Xhambazi dhe Maliqi pasqyron këtë taktikë, me qëllimin për të dërguar revistën në periferi të gazetarisë kredibile përmes denigrimit të përsëritur publik dhe të pabazuar.
Në anën tjetër, hulumtimet e Anne Applebaum-it mbi taktikat moderne të dezinformimit, të ngjashme me metodat e epokës sovjetike, ofrojnë një dritare historike përmes së cilës e mundëson që të shihen këto veprime. Për ata që e kanë lexuar Applebaum me siguri do të identifikonin se postimet e ndara nga personeli i OJQ-së “S Bunker” janë vrasje strategjike të karakterit dhe përpjekje për ta turpëruar publikisht në forma të përsëritura e të ndara të taktikave të vjetra propagandistike që synojnë të shtypin një medium cilësor, në një përpjekje për ta dëmtuar reputacionin. Kjo jo vetëm diskrediton entitetin kundërshtar, por gjithashtu i pengon të tjerët të pajtohen me të ose të mbështesin pikëpamjet e tij, nga frika e hakmarrjeve të ngjashme siç i ka orkestruar OJQ-ja “S Bunker”.
Së fundmi, për ata që e kanë lexuar hulumtimin e modelit të përshkruar nga Christopher Paul dhe Miriam Matthews, të quajtur “The Russian ‘Firehose of Falsehood’ Propaganda Model” (Shqip: Modeli i Propagandës ‘Shtëpia Ruse e Zjarrit të Rrenave’) e kuptojnë se OJQ-ja “S Bunker” në fushatën e saj sulmuese e ka zbatuar natyrën mbizotëruese dhe të shpejtë të sulmeve ndaj meje dhe revistës “Frontliner”. Kjo qasje, e cila përfshin një volum të lartë të mesazheve nëpër një rrjet të gjerë kanalesh, synon të ngatërrojë dhe të ngopë diskursin publik, duke e bërë të vështirë për vëzhguesin mesatar të dallojë të vërtetën nga rrena. Natyra e shpejtë dhe e koordinuar e reagimeve nga ekipi i “S Bunker”-it (dhe jo vetëm!) ilustron këtë taktikë, pasi ata dëshpërueshëm përpiqen ta përmbysin imazhin medial me paraqitje negative të revistës “Frontliner”, duke u përpjekur që ta mbizotërojnë aftësinë e revistës për të mbrojtur efektivisht integritetin e saj.
Qasja e propaganduar nga Bakija, Xhambazi dhe Maliqi duket të jetë mision për ta mbrojtur Departamentin Amerikan të Shtetit, nga publikimi i gjetjeve të revistës “Frontliner”, por gjithashtu kjo edhe synon të shkatërrojë aktivisht themelin e gazetarisë kritike të pavarur, përmes sulmeve ndaj karakterit në vend të një angazhimi konstruktiv e profesional. Kjo metodologji kërcënon jo vetëm entitetin e synuar, revistën “Frontliner”, por edhe imazhin më të gjerë të gazetarisë së lirë dhe të pavarur, një element thelbësor për një demokraci funksionale. Duke zgjedhur të sulmojnë në vend që të komunikojnë, këta individë, nën logon e “S Bunker”, të financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe USAID-it, ndër të tjerë donatorë, shfaqin kërcënimet e vërteta ndaj demokracisë që ata pretendojnë se janë duke u paguar për t’i mbrojtur.
Pra, strategjia e orkestruar nga Bakija, Maliqi dhe Xhambazi tregon një aplikim të llogaritur mire të taktikave mashtruese dhe përmbytëse të dizajnuara për të minuar dhe neutralizuar hetimin gazetaresk. Këto metoda nuk synojnë vetëm të komprometojnë aftësinë e cakut të synuar për të funksionuar efektivisht, por paraqesin gjithashtu një kërcënim më të gjerë për shëndetin e diskursit demokratik, duke i dhënë jehonë shqetësimeve të ngritura nga secili nga autorët e përmendur rreth manipulimit dhe kontrollit të informacionit në shoqëri.
Miratimet e orkestruara për fushatën e “S Bunker”, që kanë për synim ndryshkjen e i integritetit gazetaresk nga figurat publike
Shpërndarja e postimeve të “S Bunker” dhe stafit të saj nga figura si Flutura Kusari, këshilltare e lartë ligjore në Qendrën Evropiane për Liritë e Shtypit, së bashku me miratimet nga deputetja gjermane në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon dhe Xhemajl Rexha, Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, të postimit linçues të Agon Maliqit që kishte për cak revistën “Frontliner”, bart implikime të thella. Këto miratime nga figura të njohura për rolet e tyre në mbrojtjen e integritetit gazetaresk i japin një legjitimitet të padrejtë pretendimeve përbuzëse të Maliqit, duke ndikuar në mënyrë të padrejtë, si në perceptimet publike, ashtu edhe ato profesionale. Kjo jo vetëm që zgjeron dhe inkurajon një taktikë të tillë sovjetike, por gjithashtu sugjeron një nivel aq i ulët e jo cilësor i jepet validitet që në fakt duhet të luftohet e të mos ekzistojë.
Ripostimi i Flutura Kusarit është veçanërisht kontradiktor. Si dikush që është me detyrë për të mbrojtur liritë e shtypit, veprimi i saj është në konflikt me parimet që ajo supozohet të mbrojë, duke dëmtuar potencialisht kredibilitetin e saj dhe besimin që gazetarët kanë tek ajo për këshillim ligjor e të drejtë. Ngjashëm, mbështetja e fushatës linçuese të “S Bunker” nga politikania gjermane, Viola Von Cramon, shton një shtresë politike të panevojshme në çështje, duke e çorientuar publikun rreth thellësisë së kundërthënieve që i rrethojnë gjetjet e revistës “Frontliner”, material ky i cili vë në pikëpyetje inegritetin diplomatik të emisarit amerikan Gabriel Eskobar.
Më shqetësuese është përfshirja e Xhemajl Rexhës. Si udhëheqës i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, mbështetja e tij për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj një mediaje të pavarur vjen në kundërthënie të qëndrimeve të tij të mëparshme për lirinë e shtypit. Ky aplikim selektiv i parimeve të lirisë së shtypit, jo vetëm që minon besueshmërinë e organizatës së tij, por gjithashtu dëmton imazhin më të gjerë gazetaresk, duke e damkosur rolin e tij si mbrojtës i integritetit mediatik.
Këto mbështetje transformojnë opinionet personale në një mjet të fuqishëm narrativ i cili qartësisht synon të përdoret për të diskredituar dhe marginalizuar gazetarinë kritike. Motivet themelore për këto mbështetje mund të ndryshojnë—nga përafrimet e përkatësive politike te marrëdhëniet personale, ose të tjera nxitje siç janë mjetet financiare—por pavarësisht motiveve, ne duhet të shqetësohemi dhe të punojmë pandalshëm për t’i ekspozuar ato dhe për të thirrur në llogaridhënie, pasi këto janë synime që kontribuojnë për të krijuar një kulturë të dezinformimit, në emër të luftës kundër saj. Ky ndryshim nga trajtimi i përmbajtjes gazetareske në sulmin ndaj entiteteve mediatike pengon gazetarinë rigoroze dhe u vë një damkosje të zymtë e të pistë përpjekjeve për llogaridhënie dhe zhvillimeve demokratike.
Autori është një fotograf dhe gazetar që specializohet në çështje të politikës së racës, gjinisë, identitetit, migracionit dhe zhvendosjes së popullsisë për shkak të ndryshimeve klimatike dhe konflikteve të armatosura. Gjatë karrierës së tij, Vudi Xhymshiti i ka kushtuar vëmendje të veçantë cilësisë gazetarisë. Ai është themelues dhe kryeredaktor i Revistës Britanike Frontliner.uk – dhe aktualisht po raporton mbi tensionet politike dhe konfliktet e armatosura. Së fundmi, Vudi ka bashkëpunuar me gazeta britanike si The Guardian, The Times dhe Sunday Times.