Pas një seance të gjatë, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar mbrëmjen e djeshme projektligjin për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit në kohën e regjimit diktatorial me 94 vota pro dhe një abstenim.
Ky projektligj i jep të drejtë Autoritetit të Dosjeve të rivlerësojë figurën e zyrtarëve të pajisur me certifikatë pastërtie.
Gjatë seancës u miratuan edhe amendamentet e propozuara bashkërisht nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste që parashikojnë që “çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkoj një kopje të tyre, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve.”
“Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjesëtim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni”, thuhet në projektligj.
Ndryshimet ligjore shkaktuan debate të shumta në dy javët e fundit në Komisionin e Ligjeve dhe Parlament, derisa shumica pranoi amendamentin e PD-së për të hapur të gjitha dosjet e ish-sigurimit.
Më parë në fjalën e tij në Kuvend, kryeministri Rama u shpreh se e keqja më e madhe e komunizmit kishte ardhur pas shembjes së sistemit.
“Komunizmi ka bërë shumë të këqija, por një nga të këqijat shumë të mëdha e ka bërë pas vdekjes, duke pjellë komunistët antikomunistë. Ulëritësi numër 1 nuk vjen këtu pasi nuk do të hapen dosjet. Lustracioni është një truk për të mos hapur kurrë dosjet,” deklaroi ai.