I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është deklaruar sërish lidhur vizitën e fundit në Prishtinë dhe Beograd së bashku me katër emisarë të tjerë. Ai në një postim në Facebook, thotë se ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin, që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit në fillim të këtij viti, përcjell KosovaPost.
Ai tha, se në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd k anë diskutuar me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti, se si të avancohet normalizimi i marrëdhënieve dhe të arrihet progres në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.
Temë e diskutimit ishte edhe gjendja e sigurisë në veri të Kosovës, thotë Lajçak.
“Ne nënvizuam, se ngjarjet e 24 shtatorit përbëjnë një përshkallëzim të qartë dhe të paprecedentë, i cili tregon gjithashtu se si depërshkallëzimi ashtu edhe normalizimi janë tani më urgjente se kurrë. Së bashku me partnerët tanë, ne qëndrojmë të bashkuar në dënimin e sulmeve terroriste dhe theksojmë se të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë, duke pritur bashkëpunim të plotë nga Serbia në këtë drejtim”, thotë ai.
Por, ngjarjet e 24 shtatorit, sipas tij, nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit në fillim të këtij viti.
“Në diskutimet tona kemi përcjellë pritjen që Kosova dhe Serbia të përmbushin plotësisht obligimet e tyre në dialog. Çdo kusht apo vonesë është e papranueshme. Falënderojë partnerët e mi për këtë vizitë dhe së shpejti do të vazhdojmë diskutimet tona”, deklaroi sllovaku Lajçak.


























