I dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar sot me zv/sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Gjeneral Mircea Geoana dhe me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Lajçak pas këtij takimi ka njoftuar se bashkë me Mircea Geoana-n dhe Escobar kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, si dhe dialogun në mes dy shteteve.
“Pata një takim të dobishëm dhe në kohë me DSG-në e NATO-s@Mircea_Geoana dhe DAS Escobar sot. Diskutuam zhvillimet e fundit në Dialog, duke përfshirë veriun e Kosovës, bashkëpunimin BE-SHBA-NATO dhe rrugën përpara. Mirënjohës për mundësinë për të adresuar gjithashtu bashkërisht @NATO Ambasadorët“, ka shkruar ai në Twitter.
Duhet përkujtuar që dialogu përgjatë vitit të kaluar pati shumë ndërprerje.
Kësisoj pak çështje kanë mundur të diskutohen e të zgjidhen në mes Kosovës dhe Serbisë, përmes zhvillimeve në dialog.
Nuk dihet nëse kryeministri i vendit, Albin Kurti, si dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë ndonjë takim në afatet e afërta sa i përket zhvillimeve në dialog.