Pas fitimit të çmimit të Topit të Artë nga Leo Messi, Robert Lewandowski ka sqaruar se fjalët e Lionel Messit drejtuar atij në ceremoninë e Topit të Artë e prekën atë vërtetë, transmeton KosovaPost.
Messi e pranoi se Lewandowski është dashur ta fitonte të paktën një Top të Artë deri tani në karrierën e tij, duke e parë shkëlqimin e tij në fushë për Bayern Munich.
Në një intervistë pas ceremonisë, Lewandowski ishte cituar të kishte thënë se fjalët e Messit ishin boshe, gjë të cilën e mohoi menjëherë sulmuesi polak.
Dhe tani, në një bisedë me gazetën gjermane Bild, Lewandowski ka thënë se fjalët e Messit nuk ishin aspak boshe, por do të mbesin një çast i këndshëm në karrierën e tij.
“Fjalët e Messit drejtuar mua (për Topin e Artë) më prekën vërtet. Ato nuk ishin fjalë boshe, ishte një çast i këndshëm në karrierën time”, tha Lewandowski për Bild.
“Me Leon i ndërrova vetëm disa llafe, sepse spanjishtja ime nuk është aq e mirë. Fola me Kylian Mbappen në anglisht, ai përktheu për Leon. Ishte një natë madhështore”, shpjegoi polaku.
I pyetur se çfarë duhet të bëjë ai për ta fituar Topin e Artë në të ardhmen, Lewandowski shtoi: “Hollësitë janë të rëndësishme, çdo gjë duhet të jetë në vendin e vet. Çfarë mund të garantoj unë është se do të vazhdoj ta bëj punën time dhe të luaj sa më mirë”.
Vlen të përmendet se sulmuesi polak kishte zhvilluar një performancë të jashtëzakonshme gjatë vitit 2020.