Kontrata e Shkodran Mustafit me Arsenali përfundon në fund të sezonit dhe në të tilla kushte kjo merkato është mundësia e fundit për londinezët, që të shesin mbrojtësin me origjinë dardane.
Së fundmi në skenë ka dalë Liverpool. Jurgen Klopp nuk ka në dispozicion Van Dijk dhe ditët e fundit u dëmtua edhe Joel Matip, duke i shkaktuar jo pak probleme skuadrës, që tani nuk ka numrin e duhur të mbrojtësve për të përballuar sezonin deri në fund.
Kështu, Mustafi është vënë në listën e Klopp si mundësi për ta blerë në këtë merkato. Liverpool është klub i shëndetshëm financiarisht dhe ka asetet e duhura për të bindur Arsenalin të shesë kampionin e Botës me Gjermaninë në 2014.
Në listën e Liverpool janë edhe lojtarë të tjerë, por edhe Mustafin e duan në Serie A klube si Lazio apo Fiorentina. Nga ana tjetër Arteta ka deklaruar se klubi dëshiron ta mbajë deri në fund të sezonit Mustafin për shkak se tregu nuk ofron mundësinë për ta zëvendësuar. /abcnews.al