Gjendja shëndetësore e Kryeministrit të Luksemburgut Xavier Bettel, i cili u shtrua në spital për shkak të infeksionit me koronavirus (COVID-19), është e rëndë, por jo e rrezikshme për jetën, tha kabineti i tij, transmeton Kosova Post.
Në deklaratën e qeverisë theksohet se Kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel, i cili ishte diagnostikuar me koronavirus javën e kaluar dhe u shtrua në spital të hënën, është nën vëzhgim.
“Gjendja shëndetësore e kryeministrit është serioze, por jo në rrezik për jetën”, thuhet në deklaratë, e cila shton se Bettel do të jete nën vëzhgim për dy ose katër ditë të tjera.
Informacioni që 48-vjeçari Bettel ishte infektuar me koronavirus u bë i ditur më 27 qershor dhe gjithashtu u tha që kryeministri po tregonte simptoma, duke përfshirë temperaturën e lartë trupore dhe dhimbje koke.
Kryeministri i Luksemburgut mori pjesë në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian, i cili u mbajt më 24 dhe 25 qershor, por përkundër kësaj, ai nuk ishte në kontakt të ngushtë me udhëheqësit e tjerë.
Bettel mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneca më 6 maj, kurse takimi për dozën e dytë ishte caktuar për më 1 korrik.