Lëvizja Vetëvendosje është e bindur se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të shënojnë rezultat më të lart sesa në zgjedhjet e vitit 2021.
Në partinë në pushtet, thonë se janë të gatshëm për zgjedhje, qofshin ato të parakohshme gjatë këtij viti, apo të rregullta në fillim të vitit 2025.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se bazuar në punën e bërë gjatë këtyre tri viteve, vlerësimit të opinionit të qytetarëve përmes sondazheve dhe lehtësirave për votimin e mërgatës në ambasada, do të tejkalojnë 50 për qind në zgjedhjet e ardhshme.
“Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje, qofshin ato të parakohshme apo të rregullta në kalendarin e rregullt ligjor. Nëse zgjedhjet e parakohshme paraqiten dhe krijohen në rrethana të tilla, ne padyshim jemi të gatshëm…
Vetëvendosje shkon në këto zgjedhje e përgatitur dhe gatshme dhe bindur se si rrjedhojë e punës që ka bërë gjatë këtij mandati dhe vlerësimit të opinionit të qytetarëve përmes sondazheve, por edhe si rrjedhojë e lehtësirave që kemi bërë për mërgatën përmes Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, konsiderojmë se do të shënojmë rezultat edhe më të lartë sesa kemi shënuar më 14 shkurt 2021.