Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka përkujtuar njëvjetorin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Maqedonci, tha se “heroizmi i Bunjakut, kapërcen momentalen, për t’u shndërruar në dëshmi të përjetshme të atdhedashurisë”.
“Heronj si Rreshter Bunjaku pavarësisht shkëputjes fizike nga ne, shpirtërisht e mendërisht si në gur mbesin të skalitur përgjithmonë në memorien e popullit dhe historinë e atdheut tonë. Heroizmi i Afrimit kapërcen momentalen, për t’u shndërruar në dëshmi të përjetshme të atdhedashurisë, sakrificës që populli ndër breza nuk hezitoi ta ndërmarr, edhe kur kjo do të thoshte flijim i jetës. Në shenjë nderimi për këtë hero, në përvjetorin e shkëputjes fizike nga jeta të Rreshter Afrimit, së bashku me Kryeministrin Kurti, kolegët ministra e ambasadorë, bëmë homazhe para varrit të rreshterit në Samadrexhë të Vushtrrisë”, shprehet Maqedonci.
Ai thotë se figura të tilla nuk vdesin dhe mirënjohja për Bunjakun do të jetojë bashkë me popullin.