Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në konferencën e fundvitit ka deklaruar se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë qenë më të gatshme se kurrë për të mbrojtur sovranitetin shtetëror dhe më e kompletuar me personel.
“Gjatë këtij viti kemi shpenzuar 169 milionë e 758 mijë euro të buxhetit dhe shtesave buxhetore të ndara për Ministrinë e Mbrojtjes. Shprehur në përqindje rreth 97% të buxhetit, 2% janë obligime financiare dhe 1% mjete të zotuara, kjo do të thotë se buxheti është shpenzuar 100%”, ka potencuar Maqedonci.
Maqedonci ka thënë se brenda dy vjetëve, është dyfishuar numri i ushtarakëve. Ka thënë se kanë rekrutuar 1971 ushtarakë të rinj, ndërkaq janë në proces edhe për 300 ushtarë. Për sa i përket zhvillimit profesional të tyre, Maqedonci ka thënë se 4111 ushtarakë janë trajnuar jashtë vendit. Për kushtet e punës, ka thënë se ka ndodhur ngritja e pagave për 60%, e cila do të aplikohet nga 1 korriku i vitit të ardhshëm.
“Gjatë katër vjetëve, janë investuar mbi 270 milionë euro në blerjet ushtarake të armatimit. Është një dallim i jashtëzakonshëm me periudhën e njëjtë 2017 – 2020, që ishin investuar 4 milionë euro në këtë drejtim. Përveç dronëve ‘Bajraktar’, sistemeve të ndryshme të mbështetjes me artileri për zjarr, por edhe sistemeve të ndryshme të armatimit, kemi vazhduar me aspekte të tjera të forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse, duke vendosur për herë të parë bazamentin e industrisë së mbrojtjes përmes nënshkrimit të kontratës për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit, që do të jetë e para e këtij lloji në Kosovë dhe që përveç furnizimit dhe vetqëndrueshmërisë së institucioneve të sigurisë, do të mundësojë edhe eksport në vendet e NATO-s”, ka thënë ai.
Maqedonci ka paralajmëruar validimin e regjimentit të tretë të këmbësorisë.
“Sot kemi dy regjimente të këmbësorisë, të validuara për të kryer detyra ushtarake dhe mbetet që gjatë vitit 2025, në kuadër të ushtrimit fushor ‘Defender Europe 2025’ të validojmë edhe regjimentin e tretë të këmbësorisë”, ka thënë ai.