Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se letra dërguar komandantit të KFOR-it është sqarim për ngjarjen e 24 Nëntorit të vitit 2024, kur Garda Ceremoniale ishte angazhuar në veri të vendit në një ceremoni mortore.
Sipas tij nuk bëhet fjalë për rizotim për mos dërgimin e FSK-së në veri.
“Asgjë të re për publikun nuk paraqet letra dërguar Komandantit të KFOR-it për ngjarjen e 24 Nëntorit të vitit 2024, kur Garda Ceremoniale ishte angazhuar në veri të vendit në një ceremoni mortore. Qëllimi i letrës së dërguar është sqaruar edhe më parë dhe ai mbetet i vlefshëm sepse është i vërtetë. Letra në fjalë është dërguar me qëllimin që t’i sqarohen Komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe ta siguroj atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës. Në asnjë mënyrë, letra nuk paraqet rizotim dhe nuk mund të interpretohet si rizotim, pasi për angazhimin e FSK-së në veri të Kosovës, ekziston një dokument në fuqi i dhënë si zotim nga ish-Kryeministri Thaçi në prill të vitit 2013, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga i cili derivojnë dhe kushtet e operimit e të koordinimit të FSK-së dhe KFOR-it për pjesën veriore të Kosovës”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.