Avokatja Leto Cariolou, tha se janë të mbrojturit të tij, Pjetër Shala, i janë shkelur të drejtat për t’u përballur me dëshmitarët.
Leto Cariolou, gjatë fjalës përfundimtare tha se problem të duhet të përmendet është pranimi i deklaratave të dy dëshmitarëve të rëndësishëm me shkrim, që tashmë kanë vdekur dhe sipas saj kjo ka cenuar mbrojtjen, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Qartazi janë cenuar të drejtat e zotit Shala për t’u ballafaquar me dëshmitarët dhe ka pasur një sërë problemesh me faktin që dëshmitë e dy dëshmitarëve që janë shumë të rëndësishëm 2 dhe 4, ishin të disponueshëm për të dhënë dëshmi para këtij trupit gjykues, por në të vërtetë u pranuan deklarata e tyre me shkrim. Mbrojtjes nuk iu dha e drejta t’i ballafaqonte dhe të vinte në pikëpyetje dëshmitë e tyre. Kjo nuk ka qenë as e përligjur dhe as e bazuar. Edhe kjo cenoi mbrojtjen sepse nuk i dha mundësinë të ballafaqojë në mënyrë që të iu bënte atyre të qarta kontradiktat në mes deklaratave të tyre të ndryshme. Krahas kësaj, dëshmitë e dy dëshmitarëve kryesorë; 4733 dhe 1488 po ashtu janë pranuar me shkrim”, tha ajo.
Ajo tha se as Shala nuk ka pasur mundësi t’i ballafaqonte këta dy dëshmitarë lidhur me dëshmitë që kishte dhënë kundër tij.
“Kjo mund të duket e logjikshme se ata kanë vdekur, por kur bëhet fjalë për identifikimin dhe për faktin se për dëshmitarin 4733 përshkrimi që ka dhënë ky person për të akuzuarin është tërë gabime dhe 1488 e ka identifikuar të akuzuarin duke u bazuar në informacione që ia kanë dhënë persona të tjerë të pabesueshëm. Ka pasur cenim për faktin që është pranuar dëshmia e tyre pa e pasur ne mundësinë t’i ballafaqojmë këta dëshmitarë”, tha ajo.
Tutje, avokatja Leto Cariolou tha se trupi gjykues nuk duhet t’iu kushtojë rëndësi këtyre dëshmive.
“Për të zgjidhur këtë cenim, trupi gjykues nuk duhet t’iu kushtojë rëndësi dëshmive të tyre dhe të mos pranojë asnjë nga aspektet që nuk konfirmohet në dëshmi si të besueshme dhe të rëndësishme”, tha ajo.
Mbrojtja thotë se Pjetër Shalës iu shkelën të drejtat gjatë intervistimit para autoriteteve
(Përditësuar, ora 12:24)- Leto Cariolou, avokate e Pjetër Shalës, në deklaratë përmbyllëse tha se janë shkelur të drejtat e të akuzuarit gjatë marrjes në intervistë nga autoritetet përkatëse përpara se të transferohej në Hagë.
“Prokuroria dhe mbrojtësi i viktimave mbështeten fuqimisht në deklaratat e bëra nga zoti Shala gjatë intervistave në të cilat është marrë në pyetje nga prokurorët me përvojë dhe hetues me përvojë, pa u informuar paraprakisht dhe pa iu dhënë ndihëm ligjore qoftë përpara apo gjatë intervistës. Kjo ka të bëjë me intervistat e të akuzuarit të bëra nga Policia Federale Belge dhe ZPS-ja më 2016 dhe 2019 si dhe dy intervista më të hershme të bërë nga Zyra e Prokurorit të TPNJ-së”, tha ajo.
Avokatja shtoi se në të gjitha këto intervista i akuzuari është marrë në pyetje pa praninë e avokatit dhe pa iu dhënë mundësia që të konsultohej me ndonjë avokat përpara se te merrej në pyetje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo tha se në të gjitha këto intervista bëhej fjalë për çështje inkriminuese në të cilat Shala është përgjigjur në çdo pyetje ndaj tij.
“Mbrojtja në mënyrë të vazhdueshme ka kundërshtuar pranimin e këtyre deklaratave. Në vazhdimisht kemi argumentuar se mbështetja e trupit gjykues në ato do t’i bënte këto procedura të padrejta. Pavarësisht kundërshtimeve, pavarësisht pranimeve të panelit të trupit gjykues të DhSK-së, e drejta e zotit Shala që të ketë një ndihmë ligjore efektive gjatë intervistës më 2016 është shkelur, deklaratat edhe tani vazhdojnë që të jenë në dispozicion të trupit gjykues në marrjen e vendimit e tyre”, tha Cariolou.
Ajo thotë se siç kanë parë, ato luajnë një rol kryesor në dosjen e Prokurorisë dhe në fjalën e tyre përfundimtare.
Sipas avokates, edhe Paneli i Apelit ka konfirmuar se pyetjet e bëra ndaj Shalës më 2016 kanë bërë që të shkelen standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Paneli i Apelit ka konfirmuar se marrja në pyetje e Shalës në vitin 2016 është bërë në shkelje të qartë të standardeve të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Shkelja e të drejtave të zotit Shala gjatë kësaj interviste e ben përdorimin e deklaratave inkriminuese në kontekstin e intervistës pasuese më 2019 të palejueshme dhe të padrejtë”, tha ajo.
Cariolou tha se po t’i jepej Shalës e drejta e përfaqësimit ligjor më 2019, atëherë përgjigjet e tij do të ishin krejtësisht ndryshe. Ajo tha se konstatimet e bazuara në këto deklarata do të ishin të pasigurta.
Avokatja theksoi se është shkelur edhe parimi i barazisë së armëve, parashtrim ky të cilin e bëri në seancë private.
Cariolou për vrasjen e paligjshme në aktakuzë: S’ka prova që vërtetojnë se Shala donte ta vriste këtë person
Në gjykimin ndaj Pjetër Shalës po vazhdon edhe të mërkurën me deklaratën përmbyllëse avokatja e tij, Leto Cariolou, e cila tha se nuk është paraqitur asnjë provë që vërteton se i akuzuari donte të vriste të ndaluarin që pretendohet në aktakuzë.
“Së fundi, nuk është paraqitur asnjë provë që vërteton që i akuzuari donte të vriste këtë person. Përkundrazi, i akuzuari nuk kishte dijeni dhe nuk luante asnjë rol në vrasjen e pretenduar. Ai është informuar për vdekjen e tij shumë kohë pas lufte”, tha Cariolou.
Ajo tha se nuk është paraqitur asnjë provë që tregon se vdekja e këtij personi ishte diçka që mund të parashikohej nga i akuzuari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk është paraqitur asnjë provë që tregon se vdekja e këtij individi ishte diçka që i akuzuari mund ta parashikonte”, tha avokatja, duke përmendur edhe gjykimin Geci e që më pas seanca kaloi me përmbajtje të redaktuar për publikun”, tha ajo.
Pas kësaj, Cariolou tha se si mund të ketë qëllime për vrasje në këtë mes, kur dëshmitarët kanë dëshmuar që pas vdekjes së një të ndaluari, Xhemshit Krasniqi dhe të tjerët urdhëruan përgjegjësit që t’i përmirësonin kushtet në vendet ku mbaheshin të ndaluarit.
Avokatja tha se një dëshmitar kishte thënë se Xhemshit Krasniqi ishte nervozuar pas vdekjes së këtij të ndaluari, duke thënë se ajo gjë nuk do të duhej të përsëritej sërish atje.
“Si është kjo në përputhje me qëllimin apo synimin për të vrarë të ndaluarit. Këto prova kundërshtojnë drejtpërdrejt pretendimin e Prokurorisë se grupi përgjegjës për të ndaluarit në Kukës dhe zoti Shala nuk ka qenë kurrë asnjëherë pjesëtar i këtij grupi, nuk kishin qëllimin e përbashkët për t’i vrarë ata. Në fakt, provat vërtetojnë se personat përgjegjës nuk donin të vrisnin asnjë të ndaluar. Atyre iu ka ardhur keq për atë që ka ndodhur dhe menjëherë kanë marrë masa për t’u siguruar që nuk do të ndodhte më”, tha ajo.
Tutje, ajo tha se provat tregojnë që grupi nuk dëshironte që t’i vriste të ndaluarit apo t’i linin që të vdisnin.
“Gjithashtu, provat në të cilat mbështetet Prokuroria, bën që të besohet se pavarësisht trajtimit mjekësor që ishte në dispozicion, kjo është dhënë individit që i ishte lënë në duar dhe kjo tregon se grupi nuk dëshironin që t’i vrisnin ata apo ti linin që të vdisnin”, tha ajo.
Tutje, Cariolou tha se i akuzuari nuk kishte pozita që të autorizonte dhënien apo mosdhënien e ndihmës mjekësore të ndonjë personi që ndodhej në Fabrikën e Metalit në Kukës.
“Në rrethana të tilla, ai nuk mund të mbahet përgjegjës për vdekjen e një personi i pranishëm aty për shkak, apo si rezultat i dhënies së ndihmës mjekësore të pamjaftueshme apo të papërshtatshme. Sidoqoftë, dëshmitari 1 nuk ngritë ndonjë akuzë duke përfshirë të akuzuarin, vendimin e pretenduar për t’i mohuar ndihmë mjekësore viktimës”, tha ajo.
Sa i takon Prokurorisë, Cariolou tha se mbështetet në dy forma të përgjegjësisë sa i takon Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK).
“Qëndrim i jonë është që Ligji Penal në Kosovë nuk përmban asnjë formë të NPK-së që përfshinë këtë përgjegjësi. Jo vetëm që Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale nuk përfshihej në Kodin Penal të RFSJ-së, por ajo shprehimisht përjashtohej nga Ligji i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Interpretimi i zgjeruar i formulimit të nenit 16 (a) të Ligjit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për të përfshirë këtu përgjegjësinë sipas NKP-së, në qoftë se do të bëhej kjo gjë do të bëhej në dëm të të akuzuarit dhe do të ishte shkelje e parimit të ligjshmërisë”, tha Cariolou .
Ajo tha se qëndrimi i tyre është që NPK-ja në përgjithësi dhe në NKP 3 në veçanti nuk janë përcaktuar në ligjin ndërkombëtar zakonor dhe nuk mund të krijojnë përgjegjësi për veprat e kryera në atë kohë.
“Ligji Penal duhet të jetë i ditur dhe i kuptueshëm në mënyrë që i akuzuari të dijë se cilat akte përbëjnë krime. Në këtë rast nuk ka ndodhur kjo gjë dhe kjo është e qartë. Zoti Shala nuk mund të dinte paraprakisht që ai do të akuzohej për një krim që nuk synonte ta kryente duke u bazuar thjesht në rregulla të ndërtuara nga organi gjyqësor i ligjit zakonor ndërkombëtar që do të zbatoheshin pastaj në mënyrë retroaktive e do të konsideroheshin pjesë e ligjit të Kosovës pas 20 vitesh”, tha ajo tutje.
Cariolou tha se Prokuroria po ashtu ka dështuar që të vërtetojë se ishin persona të shumtë që kanë vepruar si ndërmarrje me një synim të përbashkët për të vrarë të ndaluarit në Fabrikën e Metalit në Kukës.
“Përveç problemit të rendë që Shala akuzohet në bazë të përgjegjësisë së tij të pretenduar në NPK, Prokuroria ka dështuar të vërtetojë se ishin persona të shumtë, disa persona që kanë vepruar për të arritur synimin e përbashkët, pra për të vrarë të ndaluarit në Fabrikën e Metalit në Kukës siç pretendon ajo dhe një synim i tillë nuk mund të nxirret apo të deduktohet nga provat e paraqitura”, tha avokatja.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Ndërsa, seancat për deklaratat përmbyllëse të palëve në këtë çështje janë caktuar për në muajin prill.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.