Mbyllen pas 3 orësh bisedimet mes Kievit dhe Moskës në përpjekje për të ndalur luftën në kufirin mes Ukrainës dhe Bjellorusisë. Qeveria ukrainase ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme të trupave ruse nga territori i saj.
Në ditën e pestë të sulmit rus në Ukrainë, delegacionet e Kievit dhe Moskës u ulën në bisedime. Synimi ulja e tensioneve dhe hapja rrugë e zgjidhjes me dialog të krizës ukrainase.
Pala ukrainase vuri si kusht për vazhdimin e bisedimeve, armëpushimin e menjëhershëm në Ukrainë, ku vijojnë sulmet intensive nga ushtria ruse. Analistët perëndimorë nuk presin shumë nga ky takim, veçanërisht pas vendimit të Vladimir Putinit për të vënë në gatishmëri mbrojtjeje gjithë arsenalin bërthamor. Megjithatë, sytë e botës janë të gjithë tek ky takim, si një rreze shprese për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit në një luftë globale.
Nga pala ukrainase, pjesë e takimit janë ministri i mbrojtjes dhe ai i jashtëm. Ndërsa Moska ka dërguar ndër të tjerë edhe një këshilltar të presidentit Putin. Takimi zhvillohet në një ndërtesë bjelloruse jo shumë larg kufirit me Ukrainën, pranë lumit Pripjat. Nga kjo zonë nisi të Enjten edhe mësymja tokësore ruse në Ukrainë. Presidenti ukrainas refuzoi të Dielën organizimin e takimit në Minsk, pasi akuzoi presidentin Lukashenko se kishte humbur neutralitetin dhe ishte bërë pjesë e agresionit rus ndaj Ukrainës.Tv Klan.al.