Policia e Kosovës nga rajoni i Prizrenit ka arrestuar një qytetar pasi kishte shtënë me revole në ajër në një aheng familjar. Atij i është konfiskuar arma dhe një sasi e konsiderueshme e municionit. Rasti, sipas policisë, ka ndodhur në fshatin Billush të Prizrenit.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Policës së Kosovës në Facebook, thuhet se dje me datën 18.07.2024 rreth orës 19:10 në fshatin Billushë, Komuna Prizrenit, në një aheng familjar ka pasur të shtëna me armë zjarr.
“Patrulla policore me urgjencë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar të dyshuarin L.S (viti i lindjes 1969), tek i cili është gjetur një armë e zjarrit e markës “Beretta APX”, dy karikator 21 fishekë kalibër 9X19 dhe 19 fishekë kalibër i panjohur. Pas kontrollit në veturë e tij është gjetur edhe një çantë me një sasi të municionit: 124 fishekë kalibër i panjohur; 174 fishekë të ndryshëm të kalibrit dhe llojit të panjohur dhe 1 karikator i armës së gjatë AK47 i zbrazët, gjithashtu janë gjetur edhe 5 gëzhoja ku dyshohet se i dyshuari kishte shtënë me armen e tij, në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm “ dhe “Posedim dhe armëmbajtje pa leje”. I dyshuari pas përfundimit te procedurave ligjore me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.