Gazetari dhe regjisori britanik, Harry Fear, deklaroi se mediat perëndimore shfaqën një qëndrim të njëanshëm gjatë raportimit për konfliktin izraelito-palestinez, duke u shprehur se nuk sqarohet se mijëra palestinezë do të vriten, raporton Anadolu.
“Këto lajme nënkuptojnë se nuk ka asnjë perceptim në publikun perëndimor se qindra apo madje mijëra palestinezë do të vriten dhe se kjo duhet të ndalet”, tha ai.
Gazetari Harry Fear, regjisor i dokumentarit të vitit 2019 “Gaza: Still Alive”, i cili ka të bëjë me efektet e luftës mbi civilët që Izraeli filloi në Rripin e Gazës të bllokuar në vitin 2014, për Anadolu vlerësoi gjuhën që përdorin mediat kryesore perëndimore që po mbulojnë konfliktin izraelito-palestinez.
Fear deklaroi se ai punoi si gazetar në Gaza gjatë konflikteve të dhunshme në 2012 dhe 2014 dhe tha: “Ajo që po shohim tani është një gjakderdhje. Vrasje masive e krijuar për të marrë hak ndaj popullit të Gazës në emër të popullit të Izraelit”.
“Thuhet se operacioni tokësor i kryer nga Izraeli mund të zgjasë me muaj, me ç’rast status quo-ja në Gaza do të ripërcaktohet dhe do të pushtohet plotësisht nga ushtarët izraelitë. Qëllimi i kësaj është të eliminojë kapacitetin e Hamasit për të qeverisur dhe larguar atë nga qeverisja e Rripit të Gazës. Si më parë, në këto periudha dhune në Gaza, ligjet dhe rregullat e luftës tashmë janë tejkaluar”, tha Fear.
“Një shembull konkret i ‘çmendurisë’ në të ashtuquajturën gazetari të paanshme”
Fear kujtoi se transmetuesi britanik BBC, gjatë raportimit të konflikteve në rajon, përdori fjalët “të vdekur” për të vrarët në Gaza dhe “të vrarë” për të vrarët në Izrael dhe tha: “Organizatat famëkeqe si BBC kanë shfaqur një gjuhë të jashtëzakonshme në konfliktin izraelito-palestinez, pavarësisht parimit të neutralitetit. Ky është një rast i qartë i ‘çmendurisë’ në të ashtuquajturin raportim të paanshëm”.
Duke deklaruar se organizatat kryesore të medias në Perëndim kanë ndjeshmëri për civilët palestinezë, Fear tha:
“Palestinezët janë kategorizuar si ‘kafshë humanoide’, sipas fjalëve të zyrtarëve izraelitë, të cilët janë efektivisht jo-njerëz, dhe kjo është mënyra se si mediat kryesore po e mbulojnë storjen. Narrativa dominuese në lidhje me konfliktin Izrael-Gaza bazohet në perspektivën izraelite. Kjo thjesht do të thotë se jetët e izraelitëve janë lavdëruar tepër dhe jetës së palestinezëve nuk u jepet asnjë rëndësi”.
Fear theksoi se nuk mund të injorohet se përleshjet e fundit filluan nga grupe të armatosura të lidhura me Hamasin në Gaza dhe tha: “Inkuadrimi i konfliktit vetëm me këto ngjarje të fundit në median perëndimore injoron shtypjen dhe rrethimin 16-vjeçar. Lufta e vazhdueshme në Gaza, mohimi i plotë i të drejtave të njeriut të palestinezëve, të drejtave civile, të drejtave politike dhe ekonomike, dhe në të vërtetë dinjiteti i të qenit njeri, bazohet kryesisht në një ideologji të epërsisë dhe dominimit racor”.
“Fëmijët janë masakruar në Gaza prej vitesh, por kjo merr pak ose aspak mbulim në gazetarinë perëndimore”


























