Ministër i çuditur, nuk po çuditë askënd

Ministër i çuditur, nuk po çuditë askënd

Shkruan: Milazim Krasniqi

Ministri i arsimit, Shyqyri Bytyçi, sot e paskësh ngrysur ditën i çuditur me mungesën e mësimdhënësve në Fakultetin e Mjekësisë dhe medemek paska shprehur gatishmëri që ta përmirësojë fët e fët atë gjendje.

Kur ministri i arsimit shfaqet i çuditur me gjendjen në arsim, gjendja duhet të jetë më keq se sa keq. E pra, ministri do të duhej ta dinte tashmë se në Universitetin e Prishtinës gjendja me staf akademik është alarmante. Pa u kacavarë në shifra strikte, është e sigurt se në Universitetin e Prishtinës mungojnë më shumë se 1000 mësimdhënës me gradën doktor shkence dhe sigurisht edhe më së paku 500 asistentë, me gradën master dhe candidate PhD.

Mungesat kanë pllakosur çdo departament, çdo njësi akademike, gjithë UP-në. Këto mungesa të mësimdhënësve në UP, me vite maskohen në dy mënyra 1) me angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm (të cilët paguhen gjysmë për gjysmë në krahasim me stafin e rregullt, sigurisht edhe punojnë pak a shumë gjysmë për gjysmë) dhe me mbinormat e mësimdhënësve e asistentëve të rregullt, që pothuajse secili e mbulon një mësimdhënës të munguar, duke mbajtur orë mbi normë.

(Duke u ngarkuar ashtu me dy norma, sigurisht që edhe cilësia e mësimdhënies së tyre bie shumë!) Nuk e di a e kanë njoftuar ministrin për këtë gjendje gjendje Këshilli Drejtues dhe rektori i UP-së , a jo. Nëse jo, ata kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë për këtë gjendje. Pse? Sepse si pasojë e mungesës së mësimdhënësve, disa programe të UP-së janë pezulluar. Këtu po sjellë si ilustrim konkret pezullimin e programit master të gazetarisë dhe kontakteve me publikun, që nga Agjencia është maskuar me mungesë të stafit. Sipas të dhënave tona të sakta statistikore, të gjithë studentët e diplomuar të këtij programi janë në marrëdhënie pune, pra punësimi i tyre është 100%.

Pra, ka ndodhë mbyllja e programit që mundëson punësim në shkallën 100%, me arsyetim se mungon stafi, 3 mësimdhënës për secilin program. Nga ana tjetër, Këshilli Drejtues i UP-së dhe  Senati, duke zbatuar politikat resktriktive të Ministrisë së Financave, kanë penguar e pengojnë pranimin e mësimdhënësve të rinj edhe në departametin tonë.  Këtu rrethi mbyllet, në atë mënyrë që UP-ja bllokohet, ndërsa u krijohet mundësi e konkurencës jolojale kolegjeve private, sepse ata mund të punësojnë mësimdhënës brenda ditës.

Por të kthehemi sërish të sebepi, te Fakulteti i Mjekësisë, që e paskësh çuditur ministrin tonë: sipas njohurive të mia, Fakulteti i Mjekësisë është më pak krizë se sa shumica e fakulteve të tjera, pasi atje ka raste që një lëndë, fjala vjen lëndët kirurgji, gjinekologji, neuropsikiatri, pediatri, e ligjërojnë nga 10 mësimdhënës! Pra, ministri ka konstatuar se ka mungesë mësidhënënësish, atje ku realisht ka tepricë.

Në fakt, këtu është fjala edhe për konfuzion, abuzime dhe ndoshta edhe shkelje ligjore, sepse ata marrin pagën e parë si mësimdhënës në UP, ndërsa pagën e dytë si mjek në QKUK, ndërsa realisht ata janë të punësuar më shumë në QKUK se sa në UP. Pse shfaqet kështu keq ministri ynë i arsimit, i çuditur me gjërat që nuk janë për t’u cuditur, po për t’u zgjidhur. Sepse e tërë politika në arsimin e lartë është  improvizim, dhënie e favoreve personave e grupeve, e jo përgjigje korrekte dhe sipas prioriteteve që imponon interesi publik dhe tregu i punës.  Për keqardhje, vërtet: je futur në skemën  e paraardhësit tënd! Grahi si të duash, veç mos pritë me të thanë puna e mbarë! (18 prill 2018)

You may also like

Harrojini motrat Vjollca, mbesa e tyre ju lë ‘pa mend’

Moderatoret e njohura, Luana dhe Marina Vjollca janë