Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan i bëri thirrje botës islame që të bëjë presion për një embargo armësh ndaj Izraelit, i cili po i vazhdon sulmet joselektive si në Gaza, ashtu edhe në Liban, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Në fjalimin e tij në Samitin e Përbashkët të Jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) dhe Lidhjes Arabe në kryeqytetin saudit Riad, Fidan tha se iniciativa e Türkiyes në OKB për të ndaluar transferimet e armëve drejt Izraelit ka marrë mbështetjen e 52 vendeve, duke përfshirë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ajo që mungon, tha ai, nuk është vendosmëria apo baza morale për kauzën palestineze, por veprimet shtrënguese. Ai nënvizoi nevojën për masa konkrete për të ndaluar gjakderdhjen dhe për të parandaluar një luftë më të gjerë rajonale në Lindjen e Mesme.
Ka mjete të tjera si ndalimi i tregtisë me Izraelin dhe ndërhyrja në gjyqin për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vuri në dukje Fidan, duke shtuar se duhet nisur gjithashtu një fushatë për të mbështetur agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).
Fidan tha se sulmet e Izraelit në Gaza, të cilat kanë vrarë më shumë se 43.000 njerëz që nga tetori i vitit të kaluar, duhet të përfundojnë dhe nënvizoi nevojën për të vepruar në unitet dhe bashkëpunim me vendet që dëgjojnë thirrjet.
Ai tha se Xhamia Al-Aksa në Kuds është nën kërcënim, duke vënë në dukje se politikanët e ekstremit të djathtë të Izraelit, përfshirë ministra, kanë shprehur hapur synimin e tyre për të ndryshuar status quo-në e saj historike.
Fidan tha se kjo situatë është një çështje shqetësuese jo vetëm për palestinezët, por për të gjithë myslimanët, duke bërë thirrje për unitet si me fjalë, ashtu edhe me veprime.
Në margjinat e seancës, Fidan takoi homologun e tij irakian Fuad Hussein, homologun maldivian Abdulla Khaleel, homologun pakistanez Ishaq Dar dhe homologun egjiptian Badr Abdelatty