Forca e Sigurisë së Kosovës njofton se Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqendonci, pritën në takim kontingjentin e FSK-së, i cili do të merr pjesë në operacionin “INTERFLEX”, që do të realizohet në Mbretërinë e Bashkuar, për të trajnuar trupat ukrainase.
Komandanti i FSK-së kërkoi nga kontingjenti i FSK-së që të tregojnë profesionalizëm, përkushtim dhe disiplinë në mënyrë që ky kontingjent ta përfaqësojë sa më mirë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Republikën e Kosovës.
“Operacioni “INTERFLEX” është operacion shumëkombësh me qëllim të përgatitjes dhe aftësimit të ushtrisë ukrainase në luftën e tyre për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial ndaj agresionit rus”, thuhet në njoftim.
Gjatë këtij operacioni gjashtë mujor të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, pjesëtarët e FSK-së së bashku me ushtarakë nga vendet tjera do të angazhohen si instruktorë në trajnimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës në detyra të ndryshme luftarake.