Ministri Mehaj priti në takim Shefen e operacioneve aktuale, Divizioni per Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, znj. Ariella Viehe, njofton Kosova Post.
Ai me këtë rast e njoftoi znj. Viehe me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe planet për të ardhmen.
Gjithashtu biseduan për gjendjen e sigurisë në vend, situatën aktuale gjeopolitike, bashkëpunimin e ngushtë që si ministri kemi me KFOR dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), rolin që NALT aktualisht ka në procesin e ristrukturimit të Ministrisë së Mbrojtjes, por gjithashtu në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së përmes ofrimit të trajnimeve për ushtarakët tanë.
Ministri Mehaj sërish theksoi faktin se “objektivi ynë është anëtarësimi në Programin e Partneritetit për Paqe si rrugës drejt anëtarësimit në NATO”, në mënyrë që FSK të ofroj kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, e për këtë po angazhohemi çdo ditë.