Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, ka thënë se një mijë persona në Kosovë kanë prona me vlerë 5 miliardë euro.
Këtë statistikë Murati e dha teksa po fliste për tatimin në pronë, ku gjatë muajve të kaluar ka pasur mospajtime ndërmjet Ministrisë së Financave dhe komunave.
Murati ka thënë se është dezinformuar kur është thënë se “Ministria e Financave ka marrë vendim për tatimin në pronë – sipas tij ministria që ai drejton ka respektuar ligjin.
”Më herët vlerësimi është bërë prej komunave dhe komunat kanë bërë vlerësime më të ulëta sesa vlera e tregut, ose ka pas edhe ndryshime edhe ato komuna që kanë mundur t’i bëjnë vlerësimet si duhet. Ministria e Financave e ka kryer një shërbim, por nuk ka marrë asnjë vendim. Është e pavërtetë, le të ma gjen dikush një vendim që e ka marre Qeveria për këtë çështje. Kjo ndodh në mënyrë automatike sepse departamenti që është për tatim në pronë e ka obligim ligjor ta bëjë vlerësim, të autorizojë edhe ekspertë. Kur është bërë vlerësimi në shtator të vitit të kaluar asnjë komunë nuk e ka ngritur zërin që të ndryshohet ligji ose udhëzimi administrativ”, ka thënë Murati në ATV, të mërkurën.