Presidentja Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot. Presidentja Osmani dhe ambasadori Guérot kan diskutuar për mbajtjen peng të qytetarëve, si dhe arrestimin e policëve të Kosovës nga ana e Serbisë në zonat kufitare, bënë të ditur Zyra e Presidencës, trqnsmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit, presidentja Osmani ka theksuar se dihet qartë se kush qëndron pas kësaj dhe se ku duhet kërkuar përgjegjësi.
“Për më tepër, ajo potencoi se trajtimi johuman dhe bllokimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, përbën shkelje serioze të të drejtave të njeriut. Ajo ka cekur po ashtu, se këto zhvillime krijojnë atmosferë të rënduar dhe frike në mesin e qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Presidenca njofton se pas votimit pro anëtarësimit të Kosovës me më shumë se dy të tretat e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në takim u diskutua për zhvillimet dhe pritshmëritë përpara mbledhjes së Komitetit të Ministrave.
Me këtë rast, ambasadori Guérot e përgëzoi presidenten Osmani për organizimin e suksesshëm dhe mbarëvajtjen e edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.