Ministri serb i mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka thënë se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme “për shkak të vendimeve të njëanshme, të paligjshme, të “administratës në Prishtinë”, duke shtuar se janë përcaktuar vijat e kuqe, transmeton televizioni serb, RTS.
Duke folur për rrezikun aktual të sigurisë në veri të Kosovës, Vuçeviq thotë se ndoshta është “më i madhi i mundshëm”.
“Nëse mund ta renditim në këtë mënyrë, duke marrë parasysh jo vetëm atë që ndodhi dy ditët e kaluara, veçanërisht të hënën, por gjithçka që ndodhi javë e muaj më parë, për të cilat paralajmëroi Serbia zyrtare, presidenti ynë ka biseduar edhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë, por edhe e informuan publikun në Serbi për skenarin e mundshëm dhe, për fat të keq, kjo ndodhi”, ka pretenduar Vuçeviq.
Ai ka theksuar se “rruga e Albin Kurtit çon në përshkallëzim, në konflikte, lëndime, të shtëna me armë zjarri dhe të gjitha këto skena që i kemi parë, të cilat nuk duam t’i shohim askund, sidomos jo në “vendin tonë”.
Ai ka pretenduar se Beogradi “beson në bisedë politike, dialog dhe zgjidhje politike”, prandaj dje kanë pasur takime me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës si dhe me ambasadorët e vendeve të KUINT-it.
“Prandaj presidenti ka pasur disa biseda telefonike me të gjithë ata që janë të përfshirë në procesin e dialogut, sepse gjithmonë është më mirë të kërkohet një rrugë politike, pra një zgjidhje politike, sesa të hyhet në konflikte”, tha Vuçeviq.
Ai shton se në përputhje me urdhrin e Vuçiqit, ushtria serbe është ngritur në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.
“E gatshme për të kryer çdo detyrë, dhe Serbia ka përcaktuar nga ana politike se cilat janë vijat e kuqe kur Serbia gjendet në një situatë ku kërcënohen interesat më vitale kombëtare dhe shtetërore. Fjala është për skenarë që dikush të vrasë serbët, se fillon likuidimi fizik i popullit tonë nga Policia e Kosovës, dëbimi i serbëve, pogromi, gjithçka që na ka ndodhur para 20 apo 30 vitesh, ato situata do të ishin vërtet jo vetëm alarm i kuq, por momenti kur Serbia nuk do të rrijë duarkryq”, ka thënë Vuçeviq.