Pas publikimit të raportit nga Zyra e Auditimit për performancën “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Ministria e Arsimit, ka deklaruar për Radio Kosovën se janë të ndërgjegjshëm për mangësitë që janë evidentuar, ndërsa ka theksuar se brenda afateve ligjore do të hartojnë një plan veprimi për të adresuar gjetjet e raportit.
Ditë më parë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”. Sipas këtij raporti, pjesëmarrja e Kosovës në testet kombëtare e ndërkombëtare, ka treguar se sistemi i arsimit në vend ka shumë probleme. Ndërsa, thuhet se Ministria e Arsimit nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të identifikuar arsyen se pse nxënësit kanë rezultatet shumë të ulëta në testet ndërkombëtare.
Për këtë raport të auditimit, Ministria e Arsimit ka deklaruar se raporti ka bërë krahasimin mes performancës së testit të arritshmërisë të menaxhuar nga kjo ministri dhe testit PISA.
Zëdhënësja e kësaj ministrie, Iliriana Pylla, tha për Radio Kosovën se janë të ndërgjegjshëm për mangësitë që ka testi i arritshmërisë, ndërsa theksoi se janë marrë masa për përmirësimin e organizimit të tij.
“Jemi duke punuar për adresimin e të gjitha problemeve. Në këtë drejtim është hartuar udhëzimi i ri administrativ, i cili ofron kritere më të elaboruara për vlerësimin e nxënësve në shkollë. Po ashtu, trajnimet për vlerësim do të trajtohen me prioritet”, tha ajo.
Raporti ka konstatuar edhe aktivitetin e pamjaftueshëm të aktiveve profesionale, të cilat duhet të hartojnë planet mësimore dhe t’i monitorojnë ato. Për këtë, zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Pylla tha se janë në proces të hartimit të udhëzimit administrativ për menaxhmentet e shkollave.
“Plani Strategjik për periudhën 2022/2026, është në fazën e konsultimit të brendshëm dhe në fillim të qershorit nxirret në konsultim publik. Në këtë plan janë operacionalizuar shumica e rekomandimeve të dhëna në Raportin e Auditimit. Sapo të marrim zyrtarisht raportin, brenda afateve ligjore ne do të hartojmë një plan veprimi për të adresuar gjetjet e raportit”, tha ajo.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, tha për Radio Kosovën se është vështirë e besueshme që të ketë një performancë më të mirë në testime, kur nuk ka ndonjë reformë të thellë në cilësi të mësimdhënies.
“Pra, do të jetë memorizimi në mësim nxënie, ajo që do të vazhdoj të penalizojë Kosovën në këtë testim dhe jo vetëm. Shpresoj shumë që nxënësit pjesëmarrës në këtë testim të kenë seriozitetin e duhur në plotësim dhe mbi të gjitha të kuptojnë me saktësi përmbajtën e testimit. I ngelet institucioneve tona që t’i përvishen punës për një cilësi më të rritur në arsim si obligim ndaj nxënësve. Testi PISA nuk duhet të jetë qëllim në vete. Synimi jonë duhet të jetë përmirësimi i cilësisë së arsimit si interes shtetëror për zhvillim socio-ekonomik, dhe jo vetëm për rezultatet të testit. Nëse për hiq gjë tjetër rezultatet e testit PISA po rikthejnë vëmendjen për cilësinë e vërtet të arsimit në vend”, tha ai.
Raporti i Auditimit, përfshin periudhën 2018-2021 dhe ka pasur për qëllim që të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse kanë marrë masa për përmirësimin e mësimdhënies dhe vlerësimin e nxënësve në Kosovë.