Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se e ka rikonfirmuar përkushtimin e Qeverisë dhe MD-së për një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, efikas dhe profesional.
Ajo këtë e ka thënë para ministrave të Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Turqia, Gjeorgjia dhe Moldova si dhe përfaqësuesve nga BE-ja në konferencën “ E ardhmja e Zgjerimit të Bashkimit Evropian: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” në Kroaci.
“Theksova se në rrugën reformuese, Republika e Kosovës tashmë ka filluar të shënojë rezultate në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, reformën penale dhe civile, si dhe rezultate konkrete në adresimin e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Tutje, ajo ka përmendur të gjitha reformat që ka marrë që nga fillimi i mandatit dhe progresin e arritur me theks që ato ndërlidhen me vetingun në sistemin e drejtësisë.
“Përmenda të gjitha reformat që kemi ndërmarrë që nga fillimi i mandatit dhe progresin e arritur me theks ato që ndërlidhen me vetingun në sistemin e drejtësisë, pakon ligjore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin, adresimin e krimeve të luftës dhe veprimet që kemi ndërmarrë me qëllim të adresimit të dhunës në familje dhe me bazë gjinore”, shtoi ajo.
Ndryshe, ajo i ka njoftuar se MD-ja ka pasur gjithësej 35 masa dhe detyrime që dalin nga PKZMSA dhe se nga këto detyrime, 28 masa janë zbatuar plotësisht dhe se për 7 detyrimet e tjera, po punohet intensivisht drejt finalizimit dhe realizimit të tyre.