Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot do të mbajë mbledhjen e parë organizative në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Data e zgjedhjeve është caktuar një ditë më parë nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në konsultim me përfaqësuesit e partive politike.
Mbledhjen e KQZ-së do ta kryesojë kryesuesi Kreshnik Radoniqi, i cili do të hapë seancën me pikën e parë të rendit të ditës.
Në kuadër të Këshillit për Operacione Zgjedhore, pritet të shqyrtohet dhe miratohet plani kohor i aktiviteteve zgjedhore, si dhe afatet kohore për organizimin e zgjedhjeve të 7 qershorit. Po ashtu, do të trajtohet edhe formula për nominimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ).
Këshilli për Buxhet dhe Financa do të shqyrtojë dhe miratojë planin e buxhetit për procesin zgjedhor, ndërsa Këshilli për Personel do të diskutojë planin e rekrutimit dhe angazhimit të stafit të përkohshëm për zgjedhjet.
Gjithashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi i vendimit për kompensimin e punës jashtë orarit, gjatë vikendeve dhe festave zyrtare për personelin e angazhuar në procesin zgjedhor.
KQZ ka theksuar se këto vendime janë pjesë e përgatitjeve për organizimin e rregullt dhe efikas të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.


























