Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka debatuar ashpër me deputetin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, për çështjen e Kodit Penal, shkruan Kosova Post.
“U tha këtu që gabimin që e keni bërë para dy vitesh, po doni ta rregulloni tash. Kjo nuk qëndron! Të paktën ne para dy viteve, kemi bërë diçka për t’i gjykuar kriminelët e luftës. Ju qe sa kohë keni qenë në pushtet, asnjëherë nuk iu ka ra ndërmend, me i adresu gjykimet e luftës, edhe duke i lënë pa kapacitete institucionet e drejtësisë, deri më tani për institucionet e drejtësisë është ndarë vetëm 1.8% e totalit buxhetor, pra as 2% e totalit buxhetor nuk është ndarë për institucionet e drejtësisë” – tha ndër të tjera Ministrja Haxhiu.
“E tash për ato që i keni shkaktuar për 20 vite, po kërkoni zgjidhje për një muaj nga Qeveria Kurti, nuk është fer!”
Ajo ia kujtoi Tahirit zotimin e Qeverisë Kurti për fuqizimin e institucioneve të drejtësisë dhe adresimin e këtyre krimeve, dhe jo vetëm. Tahiri gjatë fjalimit të tij, kërkoi rritje të buxhetit për institucionet e drejtësisë dhe trajtim më serioz të këtyre çështjeve.
Ndryshimet që po synohen të bëhen, ua mundësojnë institucioneve gjyqësore dënimin në mungesë, të fajtorëve.
Seanca është duke vazhduar me debate rreth kësaj çështjeje./KosovaPost/