Po vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës me 30 pika në shqyrtim, të cilat janë të papërfunduara nga seancat e 8 dhe 14 shkurtit.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për letërnjoftimin, me 62 vota pro.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky projektligj avancon sistemin për të qenë më transparent, duke e pasur në qendër qytetarin.
“Çdo shtetas i Kosovës nga lindja deri në moshën 18 vjeçare, mund por nuk është i detyruar të jetë i pajisur me letërnjoftim. Kështu ju mundësohet qytetarëve të kësaj moshe të lëvizin vetëm me letërnjoftim në ato vende ku ka marrëveshje Republika e Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Ai ka thënë se procedurat e pajisjes me letërnjoftim lehtësohen, duke e zvogëluar barrën administrative dhe duke minimizuar shpenzimet financiare.