Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se ka ndërprerë kontratën me operatorin për ofrim të shërbimeve postare diplomatike, transmeton KosovaPost.
Në njoftimin e MPJD-së thuhet se nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara.
“Në lidhje me raportimet e mediave rreth shkëputjes së kontratës me operatorin ekonomik për ofrimin e Shërbimeve Postare Diplomatike, njoftojmë opinionin publik se operatori ekonomik i cili ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit në muajin qershor të këtij viti, ka shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumenteve.Si pasojë, MPJD ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhënë fund kësaj kontrate, duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje, MPJD thotë se pajisja me dokumente do të përshpejtohet dhe se asnjë tolerim nuk do të ketë për operatorët që cënojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve.